Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është duke qëndruar edhe sot në Poloni. Ai ka mbajtur një fjalim në kryeqytetin polak, Varshavë, ku u ka bërë thirrje ukrainasve që të bëhen gati për një luftë të gjatë me Rusinë.
“Duhet të mbahemi për një luftë të gjatë përpara nesh”, ka thënë Biden.
“Kjo betejë nuk do të fitohet për disa ditë e as muaj. Në këtë betejë, duhet të kemi mendje të kthjellët”, ka thënë presidenti amerikan.
Ai ka shprehur bindjen e tij që dënimet e shpejta të aplikuara mbi Rusinë, janë e vetmja mënyrë që do ta detyrojë shtetin rus që ta ndryshojë kursin e nisur.
Biden, e ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për gënjeshtra, kur ka thënë se ai po angazhohet që ta denazifikojë Ukrainën përmes pushtimit.
“Sot, Rusia ka ngulfatur demokracinë dhe të njëjtën kërkon ta bëjë edhe në vende të tjera, edhe jashtë oborrit të saj. Putin ka guximin të thojë se po e denazifikon Ukrainën. Është gënjeshtër, thjesht cinike dhe ai e di këtë”, ka thënë ai.
Biden ka përmendur faktin se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se është me origjine hebreje.
“Ai është çifut, familja e babait të tij është fshirë nga toka nga holokausti nazist, ndërkohë Putin ka guximin – si të gjithë autokratët para tij – që me këtë pretendim ta justifikojë veten”, ka thënë Biden. /