Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeBetimi i kryetarëve të rinj në veri, KFOR-i: Sigurinë do ta mbajë...

Betimi i kryetarëve të rinj në veri, KFOR-i: Sigurinë do ta mbajë Policia e Kosovës

Veç një kryetar i ri i zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, pritet që sot ta marrë edhe zyrtarisht detyrën.

KFOR-i ka thënë se do ta monitorojë situatën dhe do ta mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm.

“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për rtv 21.

Sipas KFOR-it komandanti mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së, institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë së Kosovës.

“Misioni i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigjen e KFOR-it.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

Dje, shtetet e Quint’it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.

“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

Shtetet e Quint’it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.

Në fund, “pesëshja e madhe” thotë se e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Na ndajnë më pak se 24 orë nga betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut. Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës, të gjithë të partive shqiptare, duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments