Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaBeteja për kryeqytetin

Beteja për kryeqytetin

“Të fillojmë të ecim Prishtinës” dhe “Ridefinimi i Qendrës së qytetit”, janë dy projektet kryesore për kryeqytetin e Kosovës, të të dy kandidatëve, të cilët do të shkojnë në balotazh.

Në zgjedhjet komunale të 17 tetorit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arben Vitia, ka fituar 42.26 për qind të votave, ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka fituar 29.34 për qind.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të organizojë raundin e dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Sipas këtij Ligji, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë, apo, në këtë rast, më 14 nëntor.

Arben Vitia

“Ecim Prishtinës”, me synim pedonalizimin (shëtitore) e qytetit, është projekti i parë që kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, e ka paraparë ta nisë me marrjen e mandatit katërvjeçar.

Në programin e tij, Vitia ka paraparë të ndajë 1 milion euro për rregullimin e trotuareve, ku në secilën lagje, sipas tij, do të krijohen shtigjet për vrapim.

Për një pamje estetike të banesave kolektive, në veçanti në lagjet Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit, Qendra dhe Qafa ka paraparë të ndahen 2 milionë euro. Derisa 2.4 milionë euro ka premtuar se do të ndahen për ndërtimin e pesë parqeve të mëdha dhe 8 parqeve të vogla në lagjet brenda qytetit të Prishtinës.

Vend-parkingjet një ndër problemet e mëdha të qytetarëve, Vitia ka planifikuar që ta zgjidhë duke ndërtuar 4 vend-parkingje të reja me gjithsej 2,600 hapësira parkimi. Për këtë problem të qytetarëve, Vitia ka premtuar se do të investohen 1 milion euro, kurse ndërtimi i tyre do të nisë në fillim të vitit 2023.

Në vitin 2023, po ashtu, ka paraparë të fillojë rinovimi i Pallati të Rinisë dhe Sportit, për të cilin komuna do të ndajë 8 milionë euro.

Qentë endacakë një tjetër problem i madh i qytetarëve të Prishtinës, është futur në programin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia.

“Prishtina më nuk do të ketë probleme me qentë endacakë. 500 mijë euro do të investohen në këtë drejtim”, thuhet në programin e Vitisë për Prishtinën.

Me një buxhet prej 3 milionë eurove nga fondet komunale është paraparë të ndërtohen tri qendra të reja rinore në lagjen Medrese, Qendër dhe Dodona. Derisa funksionalizimi i tyre do të bëhet në pjesën e parë të vitit 2024.

Kopshte e shkolla për të gjithë fëmijët, ka premtuar Vitia. Brenda mandatit, ai ka thënë se do të dyfishohet numri i çerdheve në qytet dhe do të ndërtohen çerdhe të reja në secilin fshat me mbi 100 fëmijë deri në moshën 6-vjeçare.

Në bashkëpunim me nivelin qendror, Vitia ka premtuar se do të ndërtohet pishina olimpike e mbyllur. Pas definimit të lokacionit dhe përfundimit të projektit, ndërtimet, sipas Vitisë, do të fillojnë në vitin 2024.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në planin e tij për shëndetësi ka paraparë investime në aparaturë moderne duke zgjeruar gamën e diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve, derisa ka premtuar se spitali i qytetit do të funksionalizohet brenda mandatit.

“Është një moment i artë që edhe Prishtina të bëhet pjesë e transformimit socio-ekologjik që po ndodh në kryeqendrat evropiane. Prishtina duhet të transformohet. Prishtina do të jetë një qytet gjithëpërfshirës, i drejtë, social, solidar, i sigurt, i gjelbër, dhe me qasje të barabartë në shërbime publike dhe mundësi për të gjithë”, thuhet ndër të tjera në programin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia.

Përparim Rama

Kandidati tjetër për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, i cili do t’i futet garës në balotazh, një ndër projektet kryesore të programit e ka vendosur të ashtuquajturin “Ridefinimi i Qendrës së qytetit”.

Rama ka paraparë që qendër të Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirën brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.

Ai ka premtuar se asfalti do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Problemin e parkingut të veturave Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë.

Vend-parkingje të mëdha ka premtuar se do t’i ndërtojë në 6 pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, ku distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Vetëm në lagjen Ulpiana ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Në sektorin e shëndetësisë ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10,000 banorë.

Siguria në trafik, e që lidhet ngushtë edhe me sigurinë e fëmijëve në rrugë, është gjithashtu një ndër prioritetet kryesore, të programit të qeverisjes katërvjeçare.

Brenda mandatit katërvjeçar, Rama ka thënë se do të rrisin nivelin e hapësirave të gjelbra, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hektarëve të hapësira të gjelbra dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.

Sipas programit të Ramës, në Prishtinë mungojnë 7 objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër.

Po ashtu, Rama ka premtuar se do të ndërtojnë shkollën profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova”, si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Për problemin e qenve endacakë, Rama ka paraparë ndërtimin e një strehimore.

Mësim cilësor, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, lirim i hapësirave publike, menaxhim dhe riciklim i mbeturinave janë po ashtu çështje të cilat Rama ka premtuar se do t’i trajtojë dhe do të punojë për përmirësimin e tyre.

“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, ka thënë Rama.

Sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërkaq në balotazh do të shkojnë 21 komuna.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments