Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeBerisha njofton mbajtjen e një Kuvendi të Partisë Demokratike në dhjetor

Berisha njofton mbajtjen e një Kuvendi të Partisë Demokratike në dhjetor

Polemikat në radhët e demokratëve të opozitës shënuan të premten një zhvillim të ri, kur ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Gjatë fjalës përpara përkrahësve të tij në Lezhë, ai tha në tubimin e fundit të serisë së takimeve publike se qëllimi është kthimi i Partisë Demokratike në rrugën e ligjshmërisë statutore.

Ai akuzoi kryetarin e forcës më të madhe opozitare, Lulzim Basha, se ishte marrë peng nga kryeministri Edi Rama, gjë që u provua kur vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar në shkelje të statutit të partisë.

Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli zotin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi zotin Berisha, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

Sekretari Blinken theksoi se zoti Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptivetë tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Pas kësaj, zoti Basha e përjashtoi zotin Berisha nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të zotit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.

“Kuvend Kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur sa kohë të jem unë kryetar i partisë” – theksoi i vendosur zoti Basha.

Gjatë një fjalimi të enjten në parlament zoti Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.

Por disa ditë më parë zoti Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.

Por sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e zotit Basha, është kryetari ai që vendos nëse thirret apo jo një Kuvend i partisë.

Zoti Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.

Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.

Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments