Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se Bashkimi Evropian është duke planifikuar që të së shpejti të organizojë një takim në Bruksel në nivel të shefave të ekipeve negociataore mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic do të ftohen nga BE-ja për të vazhduar diskutimet aty ku kanë mbetur më 26 tetor dhe me qëllim të avancimit të implementimit të Marrëveshjes në Rrugën për Normalizim.
“Ndërmjetësuesi i BE-së po planifikon të organizojë së shpejti një takim në nivelin e kryenegociatorëve për të vazhduar diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në vazhdim të takimit jozyrtar në mbështetje të Dialogut të 26 tetorit”, ka thënë Stano për Gazetën Express.
Më 26 tetor në Bruksel në margjina të takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alekasnder Vucic kanë takuar krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell dhe emsiarin, Miroslav Lajcak.
Pas takimeve, Kurti dhe Vuçiq kanë deklaruar se kanë pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, megjithatë Josep Borell në deklaratën e tij pas takimit ka thënë se as Kurti e as Vuçiq s’kanë qenë në gjendje që ta pranojnë propozimin e BE-së pa vendosur parakushte.
Për takimin dhe bisedimet, presidenti francez, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni kanë dalë edhe me një qëndrim të përbashkët duke kërkuar nga Kosova që të nis themelimin e Asociacionit dhe që Serbia të japë njohjen de-facto për Kosovën.
Gjithashtu tre liderët evropianë kanë bërë thirrje që Kurti dhe Vuçiq të kapërcejnë në mënyrë urgjente dallimet që kanë për detaje në kuadër të marrëveshjes.