Që nga 24 shtatori, Kosova ka forcuar thirrjet për sanksionim të Serbisë, të cilën e akuzon se qëndron pas sulmit terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Përgjigjja e vetme deri më tani nga Bashkimi Europian është se shtetet anëtare janë në pritje të një hetimi të plotë e përfundimtar për të marrë më pas një vendim. Një përgjigje e ngjashme erdhi edhe nga SHBA.
Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, bëri të ditur se Bashkimi Europian ka draftuar masat ndaj Serbisë dhe se tashmë nëse ato hyjnë në fuqi ose jo është në dorën e Serbisë. Sipas saj, që Serbia të shpëtojë nga ndëshkimi i Unionit ku zyrtarisht pretendon të integrohet duhet të bashkëpunojë për të zbardhur atë që ndodhi në Banjskë.
“Është e qartë këtë herë se durimi me presidentin Vuçiq është harxhuar. Tani është në duart e tij të zhvillojë një hetim të duhur dhe transparencë për atë që ndodhi”, tha ajo.
Ajo për Euroactiv tregoi edhe për atë se si do të prekin Serbinë këto masa.
“Po flasim për masa politike dhe financiare ose që lidhen me negociatat e anëtarësimit. Ne kemi shumë mjete në dispozicionin tonë dhe e dimë se nuk është në interesin e presidentit Vuçiq”.
Von Cramon tha se BE mund të ndërmarrë masa jo sanksione meqë Këshilli duhet t’i miratojë ato.
“Masat janë hartuar tani… Ne po flasim për masa politike dhe financiare, qasje të kufizuar në fondet IPA, të cilat padyshim do të dëmtojnë qeverinë serbe”, tha von Cramon.
Për sanksione të mundshme ndaj Serbisë është pyetur dje edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por nuk ka konfirmuar deklaratat e eurodeputetes. Ai tha se procedurat janë konfidenciale dhe se me partnerët e tyre në Serbi nuk flasin përmes mediave.
Sidoqoftë, Stano rikonfirmoi se pritshmëritë e BE-së për Serbinë janë që të sigurojë një hetim transparent dhe bashkëpunim pa kushte.
“Ne presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia. Si e bën, varet nga Serbia. Ka mënyra nëse ka vullnet, ka shumë mënyra. Nuk na takon të dërgojmë mesazhe përmes domenit publik. Partnerët tonë në Serbi e dinë mirë se çka duhet të bëjnë dhe se çka pritet të bëjnë”, tha ai.
Presidentja Vjosa Osmani ka shfrytëzuar samitin e Komunitetit Politik Europian, që sivjet u mbajt në Spanjë, për të bërë thirrje që Serbia të sanksionohet për aktin agresor. Ajo më pas njoftoi se edhe në takimet që pati me liderët europianë e ka vu në pah këtë kërkesë të Kosovës.
Për insistimin e Kosovës që të vendosen sanksione ndaj Serbisë kishte dhënë një përgjigje ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për Bloomberg.
“Sa i përket pasojave për Serbinë, mund të them vetëm këtë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kërkesat e Republikës së Kosovës. Siç e thamë, këto janë çështje serioze dhe pyetja se çfarë ndodhi më 24 shtator, analistët tanë dhe ekspertët tanë po nxjerrin përfundimet e tyre, por ne ndoshta kemi standarde disi të ndryshme nga ato që ka Qeveria e Kosovës për marrjen e vendimeve përfundimtare për atribuim ose përgjegjësi. Ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe besoj se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë pikëpamjen e tyre se ata që janë përgjegjës për këtë kërcënim ndaj sigurisë në rajon, ndaj sovranitetit të Kosovës, kërcënimit ndaj banorëve të rajonit, kërcënimit ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në rajon, ata që janë përgjegjës për këtë do të duhet të mbahen përgjegjës”, kishte thënë Hovenier.
Në linjë me Kosovën që Serbia të ndëshkohet për atë çka shkaktoi në Banjskë ishin edhe disa deputetë të Parlamentit Europian, të cilët në foltoren e këtij institucioni këkuan masa ndaj Serbisë.
Në një seancë për Kosovën të martën e javës së kaluar, deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të Grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë. Ai theksoi se Bashkimi Europian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. Mendim të njëjtë dhanë edhe disa deputetë të tjerë që janë më të njohur me zhvillimet e rajonit.