Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaBE-ja thotë se takimet e së enjtes janë “mbështetje” për dialogun

BE-ja thotë se takimet e së enjtes janë “mbështetje” për dialogun

Bashkimi Evropian (BE) i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së, ku janë ftuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimet ndarëse me liderët kryesorë evropianë, të cilat, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, nuk janë të nivelit të lartë.

“Takimet janë në mbështetje të kthimit në dialog dhe ky është mesazhi. Presim nga të dyja palët që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve nga dialogu”, tha Stano të mërkurën.

Burimet e BE-së kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, tani për tani, plani nuk është që të ketë takim të përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit, megjithëse nuk e kanë përjashtuar plotësisht një takim të tillë, i cili do të varej nga rrjedha e takimeve paraprake ndarëse.

Të enjten në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Nga rrjedha e takimeve që liderët evropianë do të kenë me dy liderët do të varet se a do të ketë ndoshta edhe takim trepalësh, ku së bashku do të ishin edhe kryeministri i Kosovës edhe presidenti i Serbisë” ka thënë një burim i BE-së.

Kosovës, sipas burimeve, do t’i kërkohet ta pranojë draftin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë ta zbatojë pa asnjë kusht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe aneksin e saj të arritur në fund të këtij viti në Ohër.

Në BE thonë se asnjë ide apo plan që paraqitet nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë aneksin për zbatim të arritur në Ohër dhe se ai mbetet në fuqi dhe se zbatimi i të gjitha pikave mbetet obligim.

Takimet duhet të përfundojnë deri para orës 15:00 të enjten, kur edhe nis takimi i shefave të shteteve të BE-së.

Në samit do të diskutohet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe për raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të njoftoj, në emër të përfaqësuesit të lartë Borrell, se ai do t’i njoftojë liderët për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë edhe në takimet e mëparshme” tha Stano.

Më 24 tetor, Stano theksoi se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments