Friday, November 29, 2024
HomeLajmeKosovaBE-ja, Izraelit: Ndalini urgjentisht ndërtimet ilegale, s’njohim ndryshim kufijsh në Jerusalem

BE-ja, Izraelit: Ndalini urgjentisht ndërtimet ilegale, s’njohim ndryshim kufijsh në Jerusalem

Shërbimi për Veprim të Jashtëm i Bashkimit Evropian, EEAS, ka dalë me deklaratë kundër planeve të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja në territoret e kontestuara, duke e ritheksuar qëndrimin e BE-së se të gjitha vendbanimet e ndërtuara në territorin e okupuar palestinez janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe se BE-ja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të vitit 1967.

“Autoritetet izraelite së fundi kanë njoftuar për qëllimin që të ndërtojnë 540 njësi të reja banimi në Har Homa E. Zbatimi i këtyre planeve, si dhe i atyre për Givat Hamatos, do ta shkëpuste Jerusalemin Lindor nga Betlehemi dhe do t’i minonte rëndë negociatat e ardhshme drejt zgjidhjes me dy shtete në linjë me parametrat e përcaktuar ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.

“BE-ja e rithekson pozicionin e saj se të gjitha vendbanimet në territorin e pushtuar palestinez janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe BE-ja nuk do të njohë asnjë ndryshim në kufijtë e para vitit 1967, përfshirë Jerusalemin, ndryshe prej atyre për të cilët janë pajtuar të dyja palët”, thuhet më tej në deklaratë.

Ky organ i BE-së i bëri thirrje Izraelit që ta ndërpresë ndërtimin e vendbanimeve dhe t’i zhbëjë vendimet e fundit. “BE-ja e përsërit thirrjen e vet ndaj qeverisë izraelitë për ta ndalur ndërtimin e vendbanimeve dhe t’i kthejë mbrapsht këto vendime të fundit si çështje urgjente”, shkruhet në deklaratën e Shërbimit për Veprim të Jashtëm të BE-së.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se shtimi i dëbimeve dhe rrënimeve në territoret palestineze është alarmant. “Këto veprime të njëanshme janë ilegale sipas ligjit humanitar ndërkombëtar dhe vetëm i nxisin tensionet në terren. Autoritetet izraelite duhet t’i ndalojnë këto aktivitete dhe të ofrojnë leje të duhura për ndërtim dhe zhvillim ligjor të komuniteteve palestineze”, përfundon deklarata.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments