Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express ka deklaruar se Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak s’e ka vlerësuar si të përshtatshëm që të takohet kokë më kokë me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, kjo pasi sipas tij s’ishin plotësuar kushtet për një takim konstruktiv.
Besnik Bislimi e Petar Petkoviq janë takuar ndaras me Emisarin Special, Miroslav Lajçak të martën në Bruksel.
E ky i fundit ka konstatuar se s’ishin plotësuar kushtet që të ketë takim mes tij dhe kryenegociatorëve.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Pas takimeve dypalëshe me të dyja palët, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, vlerësoi nëse kishte potencial për një takim trepalësh konstruktiv, të orientuar nga rezultatet. Pasi këto kushte nuk janë plotësuar, ai vendosi që t’i vazhdonte bisedimet në nivel dypalësh me të dy kryenegociatorët”, tha ai.
Stano tha poashtu se do të njoftohet me kohë për takimet e nivelit të lartë ose kryenegociatorëve.
“Takimet në kornizën e Dialogut nga kryenegociatorët dhe në nivelin më të lartë do të njoftohen në kohën e duhur”, ka thënë ai.
Pala serbe ka insistuar që në takim të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, temë për të cilën ka refuzuar të bisedojë pala kosovare.
Kryenegociatori Besnik Bislimi tha se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Ai ka ngritur edhe çështjen e lëvizjes së lirë, kur boksierët nga Kosova s’ishin lejuar të marrin pjesë në kampionatin botëror që zhvillohet në Serbi dhe pengesat për transferimin e 100 mijë eurove për Luginën e Preshevës.
Pas takimit Lajcak kishte shkruar se tani është koha për ‘përparinm të vërtet’ sa i përket çështjes së dialogut.
“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre për takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në Dialog. Unë gjithashtu i informova ata për takimin e të hënës të Këshillit të Punëve të Jashtme dhe përsërita pritshmëritë e Shteteve Anëtare. Është koha për përparim të vërtetë”, njoftoi Lajçak.