Komisioni Evropian ka dërguar një ekip mjekësh dhe pajisje mjekësore në Rumani, ndërsa vendi po përballet me një rritje të vazhdueshme të numrit të infeksioneve COVID-19.
“Dy ekipe mjekësore nga Danimarka dhe Polonia kanë mbërritur në Bukuresht për të ndihmuar mjekët rumunë të trajtojnë numrin në rritje të pacientëve”, tha sot KE.
Gjithashtu, janë dërguar në Rumani edhe pajisje mjekësore, përfshirë 350 përqendrues oksigjeni, më shumë se 20 000 doza antitrupash dhe 500 000 teste antigjeni”, shtoi ekzekutivi i BE-së.
“BE mbetet e angazhuar për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për Rumaninë dhe vendet e tjera në nevojë”, theksoi eurokomisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Reagimin ndaj Krizave, Janez Lenarçiç.
Sistemi rumun i kujdesit shëndetësor po lufton për të përballuar numrin në rritje të personave të prekur nga COVID-19.
Dhjetëra pacientë të sëmurë rënd janë dërguar tashmë në vendet fqinje, pasi njësitë e kujdesit intensiv në Rumani kanë mbaruar kapacitetin.
Shkalla e incidencës 14-ditore e rasteve të reja për 100 000 banorë kohët e fundit tejkaloi 1 000-shin, duke e bërë atë ndër më të lartat në Bashkimin Evropian.
Sipas ECDC, vetëm më pak se një e treta e rumunëve janë plotësisht të vaksinuar.