Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeBanka Botërore ndan afër 30 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Shqipëri

Banka Botërore ndan afër 30 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Shqipëri

Banka Botërore ka miratuar sot një financim shtesë prej 29.5 milionë dollarë për projektin e përmirësimit të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri.

 

Ky financim do të ndihmojë në adresimin e dëmeve të shkaktuara në objekte të kujdesit shëndetësor nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 si dhe do të përmirësojë procesin e modernizimit dhe reformat në disa shërbime spitalore publike, raporton atsh.

Shqipëria ka bërë progres në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë të popullsisë së saj, por sistemi shëndetësor i vendit duhet të përmirësohet ndjeshëm për të përmbushur nevojat aktuale shëndetësore si rezultat i një periudhe të gjatë tranzicioni demografik dhe epidemiologjik.

Për këtë qëllim, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma për menaxhimin, planifikimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore publike. Projekti i Bankës Botërore për Përmirësimin e Sektorit të Shëndetësisë ka luajtur rol kyç në këtë drejtim, duke mbështetur rehabilitimin e tre spitaleve, zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në katër spitale rajonale dhe rindërtimin e spitalit të Laҫit, i cili u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në disa spitale e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen urgjente për përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimin e tyre me pajisje të reja mjekësore.

Financimi shtesë do të ndihmojë në përballimin e këtyre nevojave, dhe më konkretisht për rehabilitimin e Spitalit të Krujës, Spitalit Rajonal të Lezhës dhe disa spitaleve e njësive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë, Spitalit Psikiatrik, Departamentit të djegies dhe kirurgjisë plastike, dhe Spitalit të përgjithshëm pediatrik. Gjithashtu, do të furnizohen me pajisje të reja mjekësore Spitali i Pediatrisë dhe Spitali i Laçit.

Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas ka thënë se ky rehabilitim i infrastrukturës dhe furnizimi me pajisje të reja mjekësore për spitalet rajonale do të shërbejë në aftësimin e tyre për ofrimin e shërbimeve cilësore.

“Rehabilitimi i infrastrukturës kryesore dhe furnizimi me pajisje të reja mjekësore për spitalet rajonale dhe ato bashkiake do të shërbejë për aftësimin e tyre për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe eficiente të kujdesit shëndetësor për qytetarët shqiptarë”, ka thënë Salinas,

Financimi shtesë po mbështet edhe zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale, i cili do të bëjë të mundur një koordinim dhe integrim më të mirë të shërbimeve me qëllim përmirësimin e vazhdimësisë dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments