Është publikuar në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin, lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua në mbledhjen e qeverisë të mërkurën në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”.
Kjo iniciativë e përbashkët mes tre vendeve: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, synon që këtë memorandum ta përhapim në të gjithë vendet e CEFTA-s.
Thelbi i saj ka të bëjë me lehtësimin e tregtisë. Ndërsa synon që ky memorandum të ndiqet nga një plan masash që do të garantojë lëvizje të lirë të mallrave, tregtisë për të gjithë tregtarët.
Memorandumi do të shërbejë si mbështetje e subjekteve që operojnë në Shqipëri dhe subjekteve që tregtojnë me këto dy vende.
Sipas relacionit që shoqëron këtë marrëveshje, “Pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor, referuar kolektivisht si “Palët” dhe individualisht si “Pala”, duke shprehur gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, veçanërisht në fushën e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave, me qëllim eliminimin e pengesave në tregtinë e ndërsjellë, për të kontribuar në progresin e bashkëpunimit ekonomik dhe për të zgjeruar objektin e shkëmbimit të ndërsjellë tregtar; duke vendosur të eliminojmë pengesat në tregtinë e përbashkët të mallrave dhe për të forcuar në mënyrë progresive marrëdhëniet tregtare”.
Marrëveshja thekson se “palët janë gati të ftojnë pjesëmarrësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar Memorandumit të Mirëkuptimit nën frymën e përfshirjes, bashkëpunimit rajonal dhe me qëllim përmirësimin e jetës brenda të gjithë rajonit, dhe do të kontaktojmë secilin për t’i inkurajuar ata dhe për t’i përgatitur për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit; duke pasur parasysh që përmirësimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet autoriteteve kompetente, përgjegjëse për doganat dhe kontrollet dhe procedurat e tjera, do të kontribuojë në interesat ekonomikë, tregtarë, financiarë, socialë dhe kulturorë të Palëve; duke risjellë në vëmendje Marrëveshjen për Bashkëpunimin Tregtar dhe Ekonomik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; duke rikujtuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), Protokollin Shtesë 5 të CEFTA 2006, vendimin e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, që përcakton procedurën e vlefshmërisë për njohjen e ndërsjellë të Programeve Kombëtare të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar të Palëve të CEFTA-s, në lidhje me sigurimin dhe sigurinë (AEOS), Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës të Maqedonisë së Veriut për Njohjen e Ndërsjellë të Operatorit të Autorizuar Ekonomik –Autorizimet (AEOS) të Sigurimit dhe Sigurisë, Rekomandimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për Strategjinë e Menaxhimit të Rrezikut Doganor, vendimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për Lehtësimin e Tregtisë për Frutat dhe Perimet, si dhe Marrëveshjen për Lehtësimin e Tregtisë së OBT-së; duke marrë në konsideratë “Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve të tyre Anëtare, nga njëra anë dhe Republikës së Serbisë ”, nga ana tjetër, dhe “ Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian”dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve të tyre Anëtare dhe Republikës së Maqedonisë; duke rikujtuar Marrëveshjen ndërmjet Këshillit Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për Ndihmën e Ndërsjellë në Parandalimin, Hetimin dhe Luftimin e Veprave Penale Doganore dhe Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë Federale të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Bashkëpunim Doganor dhe Ndihmë të Ndërsjellë; duke rikujtuar Marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për bashkëpunimin fitosanitar dhe Marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave të Republikës së Serbisë për bashkëpunimin fitosanitar; duke marrë në konsideratë Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perëndimor të miratuar në Samitin e Sofjes në nëntor 2020, Traktatin e Komunitetit të Transportit dhe Deklaratën e Lubjanës për Lehtësimin e Kalimit të Kufirit, të nënshkruar gjatë Ditëve të TEN-T 2018, si dhe angazhimin e përbashkët dhe eliminimin e të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, siç parashikohet në Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar nga drejtuesit e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në Novi Sad, në tetor 2019; duke vendosur të eliminojnë pengesat në tregtinë e ndërsjellë të mallrave dhe të përmirësojnë progresivisht marrëdhëniet tregtare; duke pasur plotësisht parasysh rëndësinë e kontributit pozitiv të lehtësimit të tregtisë në zhvillimin ekonomik, kanë vendosur , në zbatim të këtyre objektivave, të lidhin këtë Memorandum Mirëkuptimi (në vijim i referuar si “ Memorandum ” ).
Objektivat e këtij Memorandumi janë: a) rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Palëve; b) thjeshtimi i procedurave në lidhje me importet, eksportet dhe lëvizjen e mallrave, në masën më të gjerë të mundshme; c) shkëmbimi i të dhënave ndërmjet autoriteteve të doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente në masën që e lejon legjislacioni i secilës Palë; d) promovimi, nëpërmjet zgjerimit të tregtisë së ndërsjellë, i zhvillimit harmonik të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Palëve; e) eliminimi gradualisht i pengesave në tregtinë e mallrave.
Thjeshtimi i formaliteteve të lidhura me importin eksportin dhe lëvizjen e mallrave
Palët duhet të zbatojnë tregtinë dhe procedurat në lidhje me importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave që janë të thjeshta, të arsyeshme dhe të paanshme. Palët do të sigurojnë rinovimin e marrëveshjeve dypalëshe për transportin rrugor ndërkombëtar, në mënyrë që të lehtësojnë regjimin e lejeve të transportit për vendet dypalëshe, tranzit dhe vendet e treta, duke lehtësuar në këtë mënyrë transportin dhe tregtinë në Ballkanin Perëndimor. Palët reduktojnë, në masën e mundshme, kontrollet, formalitetet dhe numrin e dokumenteve të kërkuara për të garantuar pajtueshmëri, me qëllim minimizimin e incidencës dhe kompleksitetit të formaliteteve të importit, eksportit dhe lëvizjes dhe kërkesave të dokumentacionit, secila palë garanton që këto formalitete dhe kërkesa dokumentacioni: a) janë zbatuar, me qëllime çlirimin dhe zhdoganimin e shpejtë të mallrave; b) janë zbatuar në një mënyrë që synon reduktimin e kohës dhe kostos së pajtueshmërisë; dhe c) janë në masën më të ulët kufizuese tregtare.
Tranziti
Autoritetet doganore të Palëve bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë kushtet për të thjeshtuar procedurën e tranzitit ndërmjet tyre, në masën më të gjerë të mundshme.
Konfidencialiteti dhe mbrojtja e informacionit
I gjithë informacioni i marrë nën këtë Memorandum konsiderohet konfidencial dhe trajtohet të paktën me të njëjtin nivel mbrojtjeje dhe konfidencialiteti, ashtu si informacioni i dhënë në bazë të legjislacionit të Palës që ka marrë informacionin.
Bashkëpunimi i autoriteteve doganore dhe i autoriteteve të tjera kompetente Secila Pale duhet të garantojë autoritetet e saj kompetente, përgjegjëse për doganat dhe kontrollet dhe procedurat e tjera të lidhura me importin, eksportin dhe tranzitin e mallrave, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të koordinojnë aktivitetet e tyre për të lehtësuar tregtinë. Kontrollet e kryera nga autoritetet e përmendura në paragrafin i të këtij neni, bazohen kryesisht në analizën e rrezikut, duke përdorur teknikat elektronike të përpunimit të të dhënave, me qëllim identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve dhe zbatimin e masave të nevojshme, në bazë të kritereve të zhvilluara në nivel të Palëve dhe, kur është e mundur, në nivel ndërkombëtar.
Siguria ushqimore, çështje veterinare dhe fitosanitare
Palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar lëvizjen e kafshëve, produkteve dhe ushqimeve me origjinë shtazore dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar hyrjen e sëmundjeve ngjitëse të kafshëve dhe të produkteve dhe të ushqimeve me origjinë shtazore të dëmshme për shëndetin, për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë veterinare dhe ushqimore, bashkëpunimin për lehtësimin e lëvizjes së bimëve dhe të produkteve me origjinë bimore, ushqimit dhe ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier, duke parandaluar hyrjen e dëmtuesve të bimëve në karantinë, si dhe për të punuar për thjeshtimin e procedurave në fushën e sigurisë ushqimore për të mbrojtur nga futja dhe përhapja e organizmave të dëmshëm në bimë dhe produkte bimore, për të lehtësuar dhe për të thelluar tregtinë e ndërsjellë të bimëve dhe të produkteve bimore dhe të objekteve dhe të zërave të tjerë, që i nënshtrohen inspektimit fitosanitar dhe të bashkëpunojnë për lehtësimin.
Autoritetet kompetente të Palëve informojnë njëri-tjetrin për kërkesat veterinare-sanitare dhe fitosanitare për importin dhe tranzitin e mallrave. Importi, eksporti dhe tranziti i bimëve, i produkteve me origjinë bimore dhe objekteve të tjera që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar (në vijim të referuara si “dërgesa”) mund të kryhen vetëm nëse kërkesat fitosanitare plotësohen, në përputhje me rregulloret e shëndetit të bimëve të palës importuese dhe të tranzitit.
Palët marrin të gjitha masat e nevojshme fitosanitare për të parandaluar hyrjen e dëmtuesve të bimëve në karantine nga dërgesat e bimëve dhe të produkteve me origjinë bimore që eksportohen, në përputhje me kërkesat specifike fitosanitare të Palës importuese dhe të tranzitit.
Importimi i ushqimit dhe i ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier mund të kryhet vetëm nëse plotësohen kushtet e përshkruara, në përputhje me rregulloret e sigurisë ushqimore në fuqi në Palën importuese. Raportet e laboratorëve të autorizuar zyrtarisht për testimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier dhe laboratorëve të autorizuar zyrtarisht për testimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë me origjinë bimore do të njihen reciprokisht nga autoritetet kompetente të Palëve. Gjatë importit, dërgesat e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier duhet të shoqërohen nga rezultatet e analizave laboratorike jo më të hershme se 4 (katër) muaj, të kryera me metoda të akredituara dhe të lëshuara nga laboratorë të autorizuar zyrtarisht.
Secila Palë rezervon të drejtën për të kontrolluar dhe për të shqyrtuar dërgesat e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier gjatë importit. Palët do të caktojnë laboratorë zyrtarë për të kryer testet laboratorike dhe diagnostikimin e mostrës së marrë gjatë kontrollit fitosanitar. Palët bien dakord të njohin në mënyrë të ndërsjellë rezonantet e analizave laboratorike nga laboratorë të autorizuar zyrtarisht për mostrat e marra nga dërgesat që janë subjekt i importit. Kur gjatë importit përcaktohet se dërgesa e ushqimit nuk plotëson kushtet e përshkruara ushqimore të Palës importuese, autoriteti kompetent i Palës importuese do të informojë menjëherë autoritetin kompetent të Palës eksportues, në lidhje me këtë dhe do të marrë masa në përputhje me rregullat e saj të brendshme.
Autoritetet kompetente të Palëve njoftojnë njëri-tjetrin për masat që kufizojnë ose ndalojnë importin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë me origjinë bimore dhe të përzier. Autoritetet kompetente të Palëve shkëmbejnë formularët e certifikatave shëndetësore veterinare dhe fitosanitare që shoqërojnë dërgesat te Palët dhe njoftojnë njëri-tjetrin për ndryshimet e tyre. Autoritetet kompetente të Palëve caktojnë personat kompetentë për bashkëpunim dhe koordinim të aktiviteteve në fushën e shëndetit të kafshëve, çështjeve fitosanitare dhe të sigurisë ushqimore.
Lëvizja e produkteve ushqimore
Palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkët a për të lehtësuar lëvizjen e produkteve ushqimore, d.m.th. ushqim i ri, ushqim për grupe specifike të popullatës (ushqim për foshnja dhe fëmijë të vegjël, ushqim për qëllime të veçanta mjekësore, zëvendësues për një dietë të plotë ditore për persona me dietë për humbje peshe), suplemente dietike (shtesa dietike), ushqim me përbërje ushqyese të ndryshuar (ushqim për persona intolerantë ndaj glutenit, zëvendësues të kripës për konsum njerëzor, ushqime të përforcuara me vitamina, minerale dhe substanca të tjera me efekt ushqyes ose fiziologjik etj.), kripëra për konsum njerëzor dhe prodhim ushqimi, aditivë ushqimorë, aromatizues ushqimi, enzima ushqimore, mjete ndihmëse për prodhimin e ushqimit, ujë i pijshëm në paketim origjinal (ujë mineral natyral, ujë burimi dhe tavoline) dhe në të njëjtën kohë parandalojnë hyrjen e sëmundjeve infektive ushqimore dhe të produkteve të pasigurta të dëmshme për shëndetin e njeriut, si dhe zhvillojnë bashkëpunim në fushën e sigurisë ushqimore dhe punojnë për thjeshtimin e procedurave në fushën e sigurisë ushqimore.
Produktet, sipas paragrafit i të këtij neni, mund të specifikohen në shtojcë të veçantë. Autoritetet kompetente të Palëve informojnë njëri-tjetrin mbi kushtet për importin e dërgesave të produkteve.
Lëvizja e produkteve joushqimore industriale
Palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të nxitur tregtinë e ndërsjellë, për të eliminuar pengesat teknike në tregtinë e produkteve industriale joushqimore, duke mundësuar lëvizjen e lirë të produkteve industriale joushqimore, në një mënyrë që nuk kufizon tregtinë ndërkombëtare, ndërsa garantojnë nivelin e kërkuar të sigurisë së produktit dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Bazuar në udhëzuesin ISO/lEC 68– Marrëveshjet për njohjen dhe pranimin e rezultateve të vlerësimit të konformitetit dhe duke rikujtuar rëndësinë e statusit të organeve të tyre të akreditimit si nënshkrues të EA MLA me Bashkëpunimin Evropian të Akreditimit (EA), Palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkët, për qëllim të thjeshtimit të procedurës së certifikatave të konformitetit dhe, gjithashtu, pranimin e ndërsjellë të raporteve të provave nga laboratorët e akredituar, në lidhje me produktet industriale joushqimore, për sa kohë që organet e akreditimit të palëve kanë statusin e nënshkruesve të marrëveshjes që mundëson njohjen e ndërsjellë të ekuivalencës së sistemit të akreditimit në masat që përfshin fushën e laboratorëve të testimit (EA MLA). Palët mund të zgjerojnë fushëveprimin e bashkëpunimit, në lidhje me objektin e akreditimit dhe arritjen e objektivave dhe të objektit të këtij Memorandumi do të hyjë në fuqi në ditën e notifikimit të fundit, nëpërmjet të cilit Palët informojnë njëra-tjetrën, se procedurat e tyre të brendshme, për hyrjen në fuqi të memorandumit, janë plotësuar.
Ky Memorandum mund të ndryshohet me pëlqimin e ndërsjellë të të gjitha Palëve. Memorandumi mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar përveç kur njëra nga Palët njofton synimin e saj për t’u tërhequr nga Memorandumi.
Në këtë rast Memorandumi do të përfundojë 30 ditë pas datës së njoftimit me shkrim.
Çdo mosmarrëveshje, që mund të lindë në zbatim të këtij Memorandumi, zgjidhet me pëlqim të ndërsjellë nëpërmjet autoriteteve kompetente të Palëve.