Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaBakoyannis: Çdo ndryshim i qëndrimit të Greqisë drejt njohjes do të bazohet...

Bakoyannis: Çdo ndryshim i qëndrimit të Greqisë drejt njohjes do të bazohet në zgjidhjen paqësore të situatës Kosovë-Serbi

Ish-shefja e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis, e cila tashmë mban pozitën e Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, në një intervistë  për Gazetën Express ka folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, sfidat dhe pengesat drejt një rruge të tillë, dialogun Kosovë-Serbi dhe për raportet në mes të Athinës dhe Prishtinës.

Në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës thotë se ka fusha në të cilat Kosova ka bërë punë të mirë, megjithatë thekson se ka nevojë për përmirësime sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe disa fusha të tjera.

Për një marrëveshje të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, Baokyannis thotë se e njëjta do të sillte stabilitet afatgjatë në rajon dhe do të hapte rrugën që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkoheshin fort në institucionet euro-atlantike, e që sipas ish-shefes së diplomacisë greke një gjë e tillë do të ishte një mesazh për të gjitha ata që synojnë të kultivojnë revizionizëm dhe mosmarrëveshje.

Për raportet në mes të Greqisë dhe Kosovës, Baokyannis beson se ato do të vazhdojnë të zhvillohen, derisa thotë se çdo ndryshim drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do të bazohet në zgjidhjen paqësore të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervistoi: Besnik Velija

Gazeta Express: Republika e Kosovës tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga ajo që keni parë përgjatë kësaj kohe sa jeni Raportuese për Kosovën në këtë institucion, a keni parë disponim mes shteteve anëtare për ta pranuar Kosovën si një anëtare të re?

Dora Baokyannis: Muajin e fundit në Chania ishte një takim shumë produktiv mes anëtarëve të Komite4tit për çështje politike dhe demokraci, me një pjesëmarrje shumë të madhe dhe me prezencën e Presidentit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, z.Tiny Kox. Agjenda ka mbuluar bashkë Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën, dhe angazhimi për delegatët ishte inkurajues. Megjithatë, mbetet e vërtetë se çdo aplikim për anëtarësim do të marrë kohë, do të marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm dhe standarde që duhen përmbushur. Kosova dhe Ballkani Perëndimor përbëjnë një shtyllë të rëndësishme gjeografike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës dhe të rajonit dhe këtë e dinë të gjitha shtetet anëtare.

Gazeta Express: Ndarazi nga mbështetja e nevojshme e shteteve anëtare, a ka ndonjë pengesë tjetër për Kosovën që mund të vështirësojë anëtarësimin, ndonjë çështje që lidhet me lirinë dhe të drejtat e njeriut, barazinë, demokracinë?

Dora Bakoyannis: Raporti për Kosovën i publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021 është një dëshmi e vërtetë për progresin dhe përpjekjet që Kosova ka bërë drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të Këshillit të Evropës. Kjo duhet të njihet dhe t’i atribuohet. Aty ka me të vërtetë gjetje inkurajuese në fushën e kornizave ligjore për të drejtat e njeriut dhe përputhjes me standardet evropiane. Megjithatë është një proces në vazhdim e sipër, dhe sektorë si administrate publike, reforma në drejtësi, dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdojnë të tregojnë nevojën për përmirësim. Çfarë është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe që do të luaj rol në formësimin e vullnetit politik në nivelin evropian, është polarizimi politik, para dhe pas zgjedhjeve. Në këto kohë të vështira në të cilat ka hyrë Evropa, mesazhi më i qartë që Kosova duhet të projektojë është stabiliteti politik, besueshmëria dhe vullneti për të zgjidhur çështjet e vjetra në mënyrë produktive.

Gazeta Express: Një nga pengesat në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE është gjithashtu edhe problemi i pazgjidhur me Serbinë. A tregon situata në Ukrainë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më të mirën për të arritur një marrëveshje finale, për të mbyllur përgjithmonë një burim të mundshëm të konfliktit në rajon, qoftë edhe me kompromise të dhimbshme?

Dora Baokyannis: Situata në Ukrainë, lufta për të thënë më qartë, është një shenjë dhe një mundësi për unitet, për bashkëpunim dhe për mirëkuptim në Evropë. Zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi mbetet e rëndësishme për të ardhmen e Ballkanit. Një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë jo vetëm që do të sillte një stabilitet afatgjatë në një rajon të përfshirë në konflikt, por gjithashtu do të lejonte vendet e Ballkanit Perëndimor që të vazhdonin të ankoroheshin fuqishëm në institucionet Euro-Atlantike, një mesazh për çdokënd që dëshiron të kultivojë revizionizëm dhe mosmarrëveshje. Në fund të ditës, është një çështje për sjelljen e paqes në rajon, mbylljes dhe fillimit të ndërtimit të themeleve për një të ardhme që mund të jetë e begatë për brezat e rinj, një të ardhme ku Kosova mund të bashkëjetojë dhe të lulëzojë në mesin e fqinjëve të saj.

Gazeta Express: A mendoni se ka bazë për arritjen e një marrëveshje finale së shpejti në mes të Kosovës dhe Serbisë, a duhet të vendosen afate, dhe në opinionin tuaj, çfarë do të ishte një marrëveshje ideale dhe a duhet të përfshihet njohja reciproke?

Dora Bakoyannis: Do të ishte e guximshme dhe madje e pavend që unë të thosha se çfarë afate duhet të caktohen dhe deri në çfarë kohe duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Ajo që është në pyetje këtu dhe ajo që është pjesë e zgjidhjes është vullneti politik nga të dyja palët. Për të arritur një marrëveshje, për të kuptuar të kaluarën dhe për të ecur drejt një të ardhmeje të përbashkët, të dyja palët duhet të tregojnë përkushtim, të kultivojnë besimin dhe komunikimin dhe të kuptojnë se zgjidhja e një çështjeje në mënyrë paqësore është një zgjedhje që duhet të vijë nga brenda, nga shoqëritë dhe njerëzit, e ardhmja e të cilëve do të përcaktohet. Si e tillë, çdo afat, ose çdo marrëveshje do të jetë e suksesshme vetëm nëse merret me mirëbesim.

Gazeta Express: Ju keni qenë shefe e diplomacisë greke. Si e keni parë evoluimin e marrëdhënieve mes Athinës dhe Prishtinës këto vitet e fundit? A besoni se është koha që Greqia ta njohë Kosovën si shtet?

Dora Bakoyannis: Unë isha e para ministre e Jashtme evropiane që vizitova Prishtinën në vitin 2009, si kryetare e atëhershme e OSBE-së dhe synimi im ishte të nënvizoja rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, një rajon ku Greqia bën pjesë. Unë atëherë deklarova se Greqia do të jetë një ndërmjetëse e ndershme dhe vetëmohuese, një partner i besueshëm që do të punojë sistematikisht për të forcuar paqen dhe stabilitetin në fqinjësinë tonë dhe zhvillimin dhe prosperitetin e popujve të Ballkanit. Edhe pse nuk jam më shefe e diplomacisë greke, besoj vërtet se marrëdhëniet e Athinës dhe Prishtinës do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të forcohen nën këtë premisë. Megjithatë, çdo ndryshim drejt njohjes do të bazohet në zgjidhjen paqësore të situatës dhe do të hapë rrugën për një Kosovë evropiane.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments