
Ish-ministrja e tregtisë dhe industrisë, po ashtu edhe ish-ministre e Financave, tani deputete e LDK-së, Hykmete ka folur për punën katër vjeçare të Qeverisë Kurti, në fushën e ekonomisë, duke numëruar dështimet e kësaj Qeverie në aspektin ekonomik.
Sipas Bajramit, Qeveria Kurti në ekonomi ka vetëm dështime ku i ka listuar tri nga to.
‘’Në ekonomi ka vetëm dështime, por meqë po kërkoni tri në veçanti unë po përmend: dyfishimi i çmimit të energjisë elektrike, thëllimi i deficiti tregtar dhe inflacioni i lartë. Në përgjithësi gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë’’ thotë ajo.
Bajrami vazhdon me kritikat ndaj Qeverisë, për mos rritjen e pagave, për mos zhvillim dhe për mungesë të politikave reformuese.
‘’Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme. Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj’’ shprehet ajo.
Sipas saj, edhe investimet kapitale kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, duke deklaruar se asnjë projekt kapital nuk ka përfunduar dhe ka nga ato që kanë mbetur në gjysmë.
‘’Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj. Është dyfishuar kostoja e jetesës së qytetarëve dhe është rritur numri i familjeve që jetojnë në varfër. Ligji për pagën minimale nuk po zbatohet. Rasti i grave që kanë punuar në mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit e ka shpërfaqur paaftësinë e kësaj qeverie që as brenda institucioneve s’mund të zbatojnë ligje’’ potencon Bajrami për FrontOnline.
Deputetja e LDK-së, po ashtu shprehet se gjitha investimet e huaja kanë qenë në blerje të banesave, duke u thelluar deficiti tregtar.
‘’Investimet e huaja janë krejt në blerje banesash nga ana e mërgatës sonë. Është thelluar deficiti tregtar. Kosova e ka mbyllur vitin 2024 me 5.4 miliardë euro deficit tregtar, e ky deficit po thellohet tutje në vitin 2025. Kosova për shkak të sanksioneve të vendosura nga BE Kosova ka humbur qindra miliona euro donacione. Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore’’ shton ajo.
Ish-ministrja e ekonomisë, Hykmete Bajrami, ka përmendur edhe skandalet në aspektin ekonomik që kanë plasur gjatë mandatit qeverisës.
‘’Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera janë fenomene që e kanë kanë përcjellë këtë mandat katër vjeçar’’.