Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para se të fillojë vizitën e saj zyrtare në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, ka folur për rajonin, duke thënë se shumica e vendeve të këtij rajoni janë neglizhuar nga Bashkimi Evropian.
“Duhet ta themi sinqerisht, shumë prej këtyre vendeve i kemi zhgënjyer dhe i kemi lënë pas dore vitet e fundit”, ka thënë Baerbock, në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Ajo tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tregon qartë se Evropa duhet të jetë e përgatitur të investojë strategjikisht në sigurinë e saj afatgjate, duke shtuar se kjo vlen sidomos për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur – por është e çmuar. Aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë interes për një të ardhme europiane dhe nuk i shmangen nxitjes së konflikteve të pazgjidhura, po ecin drejt këtij krahu të hapur”, ka thënë Baerbock.
Shefja e diplomacisë gjermane ka thënë se qëllimi i vizitës së saj në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd është që të dëgjojë kërkesat që kanë qytetarët e këtyre shteteve, si dhe për të qartësuar se “rajonin që gjendet në zemër të Evropës nuk do ta lënë nën ndikimin e Moskës”.
Vizitën ajo do ta bëjë bashkë me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për pozitën e re e të cilit, tha se tregon që qeveria federale gjermane dëshiron ta emërojë prioritetin politik ndaj Ballkanit Perëndimor.