Golfistët kosovarë patën paraqitje pozitive në edicionin e katërt të “Balkan Open 2021” në golf, i cili u mbajt gjatë fundjavës në Antalya të Turqisë.

Kampioni i Kosovës, Azer Bislimaj arriti të radhitet i treti dhe e fitoi kupën e bronztë në kategorinë brutto, e cila njëherësh është kupa e parë e fituar nga një lojtar i Kosovës në gara zyrtare ndërkombëtare.

Në këtë, e cila zgjati tri ditë, morën pjesë 40 lojtarë të golfit nga 11 shtete të ndryshme dhe gara u zhvillua në dy fusha, Sulltan dhe Pasha Golf Course.

Federata e Golfit e Kosovës është themeluar me 17 tetor 2018 ndërsa këtë vit është licencuar për herë të parë nga MKRS.
Me këtë rast, sporti i golfit është regjistruar si sport zyrtar në Kosovë dhe Federata ka marrë përkrahje financiare.
Federata e Golfit, e udhëhequr nga kryetari Lavdim Zylfiu, ka arritur t’i afrojë me sukses golfistët kosovarë që kanë bërë karrierë në vende të ndryshme të botës.
Me ta, sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare në të ardhmen janë të mundshme. /Gazeta Express/
