Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeAvokati i Ridvan Muharremit: Rozeta Hajdari e angazhoi për blerjen e rezervave...

Avokati i Ridvan Muharremit: Rozeta Hajdari e angazhoi për blerjen e rezervave shtetërore

 Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi ka thënë se klienti i tij ishte i përfshirë në blerjen e rezervave shtetërore.Ai ka deklaruar se Muharremi ishte angazhuar në blerjen e rezervave shtetërore nga Ministrja Rozeta Hadjari, shkruan Betimi për Drejtësi.

“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari”, ka thënë Halimi.

Në anën tjetër, Ministrja Rozeta Hajdari, ka deklaruar të premten se nuk ka njohuri dhe nuk e ka parë askund nëpër dokumente emrin e Ridvan Muharremit, i cili u arrestua të premten bashkë me dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Halimi ka sqaruar se gruri ishte blerë në Turqi dhe ishte sjellë në Kosovë përmes portit të Durrësit me ndihmën e Ridvan Muharremit.

“Për klientin tim, për cilin e di se Ridvan Muharremi s’ka pasur asnjë pozitë në ministri, është kyçur në baza vullnetare sepse në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë të artikujve ushqimorë”, ka deklaruar Halimi.

Ai ka thënë ishin blerë dhjetë mijë tonë grurë në Turqi ndërsa gjashtë tonë ishin dhënë falas për Kosovën.

“Atë ditë që është kryer transaksioni dhe është ngarkuar malli m’u nis knej, Ridvani ka udhëtuar dhe është kthyer në Prishtinë dhe drejt ka shkuar në Ministri dhe i ka njoftuar se malli do të vijë në portin e Durrësit”, ka thënë avokati Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Z. Ridvan deri këtu e ka kryer misionin. Me shpenzimet e veta”, ka shtuar ai.

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarët Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi që ishin arrestuar të premten.

Prokuroria Speciale nisi të premten në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë të premten se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevante fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Në mbrëmjen e së premtes, Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur të shtunën edhe Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle.

Edhe një deputet i Vetëvendosjes ka deklaruar se sistemi i drejtësisë po iu shërben opozitës dhe milionerëve.

Këshilli Prokurorial dhe as Këshilli Gjyqësor i Kosovës si dhe as Shoqata e Prokurorëve nuk kanë reaguar ndaj akuzave të pushtetit se janë bërë bashkë me opozitën për ta rrëzuar Qeverinë. Nuk ka pasur reagim as nga u.d i Kryeprokurorit Besim Kelmendi./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments