Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaAvokati i Gucatit pyet Specialen: Kush do ta gjejë drejtësinë për 60...

Avokati i Gucatit pyet Specialen: Kush do ta gjejë drejtësinë për 60 viktimat e familjes Jashari?

Mbrojtja e Hysni Gucatit në Hagë, avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se do të paraqesin prova që kanë të bëjnë me emra të serbëve të cilët kanë kryer krime në Kosovë dhe nga të njëjtit Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka kërkuar bashkëpunim. Sipas avokatit Rees, ZPS me qëllim që të ndjek agjendën e saj, u ka kërkuar bashkëpunim atyre që janë përgjegjës për masakra ndaj civilëve në Kosovë. Këto, avokati i ka bërë të ditura në seancën e sotme gjyqësore derisa ka paraqitur deklaratën e tij hapëse ku ZPS-në e ka quajtur frikacake.

 

Mbrojtja e Gucatit, duke folur për publikimin e dokumenteve që ZPS i konsideron konfidenciale, ka thënë se kjo zyre nuk ka kërkuar nga mediat që të largohen artikujt të cilët kishin filluar të publikohen.

Sipas tij, një punonjës i ZPS-së është i përfshirë në procesin e rrjedhjes së materialeve në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Kur mbrojtja thotë ka informacion se një punonjës me emër që punon aktualisht në ZPS është implikuar në proces përmes të cilit materialet mbërritën në zyrat e OVL-UÇK, ata nuk thonë asgjë, dhe nuk kërkojnë asnjë provë për ta hedhur poshtë. Pavarësisht nga hetimet që prokurori i specializuar pretendon se kanë kryer ZPS nuk ka dhënë si provë ndonjë raport të pavarur që të shfajësojë stafin e vet si të përfshirë në rrjedhjen e një dokumenti të tillë, ata nuk mund ta bëjnë këtë sepse një raport të tillë nuk e kanë”, ka thënë Rees.

Sipas tij, ZPS nuk po lejon që të zbulohet e vërteta lidhur me rrjedhjen e dokumenteve që i konsideron konfidenciale.

“Kur nuk ka vullnet apo prirje për t’i përballu ata në shtyp të cilët nxorën në dritë duke përdorur fjalët e tyre bashkëpunimin e turpshëm të ZPS-së dhe atyre të dyshuar për krimet më të rënda, ZPS refuzon njëkohësisht të lejojë të vërtetën të dalë në shesh në lidhje me kush, si dhe përse ky material doli nga zyrat e saj dhe përfundojë në OVL-UÇK në radhë të parë. Përkundrazi, ZPS synon Hysni Gucatin dhe bashkë-akuzuarin e tij me këto akuza të sajuara në një procedim pa viktima. Kjo është për mendimin tonë një procedim prej frikacaku nga një zyre prokurorie frikacake, përkundrazi nga ana e tij Hysni Gucati nuk është frikacak, ai është, ka qenë gjithnjë i hapur, i ndershëm dhe transparent dhe të hënën ai do të jap dëshmi dhe do t’i përgjigjet çdo pyetje që do t’i bëhet”, ka thënë avokati Rees.

Milan Stojanoviq, Bogdan Periq, Branislav Rakiq, Nebojsha Trajkoviq e Milovan Drecun, janë disa prej emrave të cilët i ka përmendur mbrojtja e Hysni Gucatit derisa ka bërë deklaratën e tij hapëse, nga të cilët ka thënë se ZPS ka kërkuar bashkëpunim, ani pse të njëjtit janë përgjegjës për krimet serbe të kryera në Kosovë.

“Gjatë çështjes sonë të mbrojtjes ne do të parashtrojmë prova të tjera që kanë të bëjnë me emra të tjerë që tregojnë që ZPS ka kërkuar bashkëpunim nga ta duke përfshirë Nebojsha Trajkoviq i njohur ndryshe si Lutka, zëvendës shefi i njohur i Gllogovcit në njësinë OUP të njësisë për punët e brendshme të ministrisë së Sllobodan Millosheviqit për çështje të brendshme, Gllogovc që njihet si Drenas tani, ka qenë vendi ku kanë ndodhur ekzekutime të shumta, rrahje, vjedhje, të forcave të sigurisë serbe në pranverë të vitit 1999”, ka thënë avokati Rees.

Ai ka thënë se ZPS në vend që të kërkojë drejtësi për masakrat ndaj civilëve në Kosovë, kërkon bashkëpunimin e kryesve të këtyre veprave në mënyrë që të përmbush agjendën e saj.

Ai është referuar në disa artikuj të botuar nga mediat ku sipas tij është bërë i ditur bashkëpunimi i ZPS-së ne persona të caktuar në Serbi, ndër të cilët edhe me përgjegjës të masakrës së Mejës në Gjakovë.

“Kush do të kërkojë drejtësi për ata persona në Gjakovë të cilët janë zhdukur nën rendin e Milan Stojanoviq, jo ZPS, e cila në vend që të bëjë këtë gjë, bashkëpunon, në mënyrë që të ndjek agjendën e vet me persona të tillë. Kush do të kërkojë drejtësi për rata persona të cilët janë vrarë në Masakrën e Mejës nën komandën e Milan Stojanoviq, jo ZPS e cila në vend të kësaj gjëje kërkon bashkëpunim me ta për të ndjekur agjendën e saj”, ka thënë Rees.

Avoakti Rees ka përmendur mbi 400 masakra të Serbisë kundër civilëve shqiptar në Kosovë, vrasjen e 13 mijë civilëve ndër të cilët 1300 fëmijë dhe përdhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare duke theksuar edhe dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

“Kush do të gjejë drejtësi për ata 60 viktima të familjes Jashari, të vrarë në Prekaz, jo ZPS e cila në vend që të bëjë këtë gjë, u drejtohet agjencive që kanë qenë përgjegjëse për masakra që të bashkëpunojë me të për të ndjekur agjendën e vet të ZPS-së”, ka thënë Rees.

Deklarata hapëse e mbrojtjes së Gucatit shënon hapjen e çështjes së mbrojtjes në këtë gjykim.

Ata do të fillojnë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të hënën me 6 dhjetor 2021, ku do të dëshmojë edhe vetë Gucati.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments