Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaAvokati: Brezi i Gucatit sakrifikoi jetën dhe gjakun për lirinë e shprehjes...

Avokati: Brezi i Gucatit sakrifikoi jetën dhe gjakun për lirinë e shprehjes e opinionit

Mbrojtja e Hysni Gucatit në Hagë, avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se Prokurori i Specializuar po përzgjedhë personat që sipas tij kanë të drejtë të gëzojnë lirinë e shprehjes. Sipas tij, Gucati nuk duket të jetë një nga ata persona në listën e prokurorit të specializuar. Në deklaratën e tij hapëse, mbrojtja e Gucatit ka thënë se deklarimet e këtij të fundit rreth Gjykatës Speciale bëjnë pjesë në lirinë e tij të shprehjes, të cilën ia garanton shteti i Kosovës secilit qytetar.

 

Derisa ka bërë deklaratën hapëse para trupit gjykues, Rees ka thënë se Hysni Gucati ka shprehur shqetësimet e tij që lidhen me institucionin e Gjykatës Speciale duke përcaktuar edhe arsyet pse e kundërshton këtë gjykatë.

“Për zotëri Gucatin fjalët e tij janë kthyer kundër vetës nga prokuroi i specializuar i cili e etiketoi zotëri Gucatin si një oponent të shprehur e të ashpër të këtij institucioni sikur pavarësisht nga ajo se çfarë kishte thënë më përpara sa i takon lirisë së shprehjes kjo në vetvete të përbënte një vepër penale. Provat e bëjnë të qartë dhe e parashtrojmë këtë gjë dhe do ta shohim që Prokurori i Specializuar kërkon që të marrë dhe të përzgjedhë ata të cilët ai i konsideron si me vlerë për të gëzuar të drejtën e lirisë së shprehjes ndërkohë që zotëri Gucati një oponent i shprehur i njohur i ZPS-së nuk duket të jetë njëri prej tyre. Zotëri Gucati vërtetë është shprehur sa i takon shqetësimeve që kanë të bëjnë me këtë institucion, ai ka qenë dhe vazhdon të ketë të drejtë të shprehet lidhur me të. Ai ka përcaktuar arsyet pse ka shqetësime lidhur me këtë institucion, ai ishte më përpara dhe është edhe sot e kësaj ditë në pozicion për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë avokati i Gucatit.

Rees ka theksuar se Republika e Kosovës i cakton vlerën më të lartë lirisë së shprehjes duke shtuar se kjo liri në Kosovë është fituar me sakrificën e jetës së brezave.

“Republika moderne e Kosovës i cakton vlerën më të lartë, në hierarkinë e vlerave, lirisë së shprehjes, fjalës dhe opinionit. Këto liri janë fituar nga brezi i Hysni Gucatit duke sakrifikuar jetën dhe gjakun e tyre. Në njohje të kësaj sakrifice, Republika moderne e Kosovës kërkon që institucionet e veta të jenë të hapura dhe transparente që rrezja e dritës të ndriçojë të gjitha katër cepat e organeve administrative dhe gjyqësore”, ka thënë Rees.

Ai ka thënë se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës duhet të jetë një aktualitet ku drejtësia ofrohet për gjithë dhe jo vetëm për disa.

Deklarata hapëse e mbrojtjes së Gucatit shënon hapjen e çështjes së mbrojtjes në këtë gjykim.

Ata do të fillojnë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të hënën me 6 dhjetor 2021.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments