Testi që mbahet çdo tre vjet po duket se vazhdon të mbetet problematik për nxënësit kosovarë.
E është Zyra Kombëtare e Auditimit, ajo e cila ka publikuar raportin për vlerësimin e nxënësve në teste kombëtare e ndërkombëtare.
Ata kanë gjetur se pavarësisht rezultateve të ulëta, Ministria e Arsimit nuk ka marrë hapa për ta kuptuar arsyen e dështimit të tillë.
“Rezultatet e vlerësimit të PISA-s në vitin 2015 nuk kanë qenë alarm për MASHTI-n dhe e njëjta situatë është edhe me rezultatet e vitit 2018, që e renditën Kosovën të tretën nga fundi”.
”Edhe pse situata e pandemisë gjatë viteve 2020 dhe 2021 solli shumë vështirësi në sistemin arsimor në mbarë botën, deri në fund të dhjetorit është organizuar vetëm një konferencë nga MASHT-i në vitin 2017, duke pasur parasysh se vlerësimi i radhës i PISA-s do të bëhet në prill të vitit 2022. Kjo situatë tregon se MASHT-i nuk ka ndërmarrë asnjë hap në përpjekje për të përmirësuar renditjen aktuale të Kosovës”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditimit.
RTV Dukagjini ka kërkuar versionin e Ministrisë së Arsimit për komentin e auditorit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
“Kosova duhet të fillojë t’i shfrytëzojë këto rezultate të të gjitha testeve, për të parë se si po funksionon sistemi, si po funksionon arsimi në një komunë dhe se si po funksionon arsimi në një shkollë. E kjo s’ka ndodhur deri tani”, ka thënë eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.
E është ish-ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi, ai i cili nuk pret rezultate të mira as për PISA 2022.
Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015”, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse.
Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77-të, derisa në matematikë dhe shkencë të 76-in.