Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimi e zbatimit të nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, për faljen e 100 eurove.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se vendimi është në dobi të komunave, pasi sipas tij, zbatimi i atij ligji do të shkurtonte buxhetin e komunave.
“E mirëpresim një vendim të tillë, pasi është në dobi të komunave të Kosovës, ne po shpresojmë që edhe vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese do të jetë ashtu siç komunat mendojnë.
Sepse me zbatimin e një ligji të tillë, buxheti i komunave do të shkurtohej mbi rreth 30 milionë euro, dhe kjo shkon në dëm të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse do të kemi shkurtime të 30 milionë eurove në investime kapitale”, është shprehur ai.
Ibrahimi shtoi më tej se kanë qenë të bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendoste në favor të tyre.
“Ne e mirëpresim, vendimin dhe kemi qenë të bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në bazë të kërkesës e cila është dërguar nga Komuna e Prizrenit, por me autorizim të bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ai.