Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaAskush nuk dëshiron t’i shes grurë shtetit

Askush nuk dëshiron t’i shes grurë shtetit

Mullisët në Kosovë po e konsiderojnë të pa leverdishme tregtinë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Që nga viti 2012, Kosova ka filluar grumbullimin e rezervave shtetërore, të cilat mund të përdoren në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore. Në Kosovë në vitin 2010 është miratuar Ligji për rezervat shtetërore, sipas të cilit, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

Bazuar në këtë ligj, MINT po synon të blejë 1200 tonë grurë

 

 

 

 

.

Por, asnjë kompani nuk ka shfaqur interesim që t’i shesë grurë shtetit. Arsye kryesore duket të jetë fakti që në treg nuk ka mjaftueshëm grurë, ndërsa çmimi i tij në BERZA është ngritur shumë ditëve të fundit. Kësisoj fitimi i tregtisë me shtetin po duket i vogël.

Me arsyetimin se nuk e ka pranuar asnjë ofertë, ministria e ka anuluar tenderin “Furnizim me grurë për nevoja të Rezervave Shtetërore”, në të cilin po kërkohen 1200 tonë, ku çmimi i vendosur është 350,000,00.

Një kompani e interesuar, por që nuk ka ofertuar ka parashtruar pyetje në ministri para pak ditëve lidhur më ketë ofertë. “Vlera e planifikuar e buxhetit nga Autoriteti Kontraktues, nuk e mbulon sasinë e kërkuara, kjo duke marrë për bazë çmimin aktual të grurit në BERZA dhe vendet e rajonit, pa llogaritur këtu shpenzimet e transportit dhe shpenzimet tjera administrative, andaj po ju drejtohem më këtë kërkesë duke kërkuar nga ana juaj sqarime se çka ndodhë nëse oferta tejkalon buxhetin e parashikuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, cilat janë veprimet e Autoritetit Kontraktues në këtë rast. Për t’i vërtetuar të gjitha arsyet e paraqitura, mund të bëni një hulumtim në treg dhe të shikoni se realisht çmimi momental i tregut e tejkalon vlerën e caktuar nga ana juaj. Gjithashtu muajve të fundit çmimi ka qenë gjithmonë në rritje, andaj deri në përfundimin e afatit pritet që trendi i rritjes të vazhdojë edhe më tutje”.

Ndërkohë, ministria në përgjigjen e vetë ka deklaruar se “AK sipas njoftimit për kontratë dhe dosje të tenderit ka kërkuar çmimin më të ulët të grurit/për ton, ndërsa sasia mbetet e pandryshuar”. Por, në fund nuk është pranuar asnjë ofertë.

Lajmi.net ka pyetur zyrën për informim të MINT lidhur me dështimin e këtij tenderi. Kjo zyrë ka bërë të ditur se: “DRSHM-ja, si linjë kërkuese nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo arsye për kriteret teknike për tenderin në fjalë, procedurat tenderuese për të gjitha linjat kërkuese në MINT i zhvillon zyra e prokurimit”.

Në ministri kanë thënë se nuk kanë hequr dorë nga blerja e grurit. “Në bazë të planit të prokurimit për vitin 2021, DRSHM-së do të zhvilloj të gjitha procedurat ligjore, është në diskrecionin e ZKA / Zyrës se Prokurimit  se si do të zhvillohen procedurat e mëtejshme tenderuese, ndërsa sa i përket sasisë kjo informatë është informatë e mbrojtur”.

Kjo është herë e dytë që ministrisë i dështon kjo iniciativë, pasi para dy muajsh e ka pasur një ofertë të tillë publike, por nuk kishte arritur ta konkretizonte.

Ministria kishte pranuar vetëm një ofertë nga operatori “Sali Selmani B.I”, por e kishte përjashtuar se nuk i kishte përmbushur kriteret e kualitetit, gjë që e bën shumë dyshuese edhe përdorimin e grurit nëpër mullinj tjerë në Kosovë ku nuk ka inspektim të duhur.

“Gjatë vlerësimit të test-raportit të cilin e keni sjell, karakteristikat e cilësisë së grurit të cilat ndërlidhen me akreditimin nuk përmbushen, pra nga 16 metoda testuese të cilat janë prezentuar, në test raport vetëm 7 janë të akredituara. Analiza e Proteinave (%) sipas standardit ISO 1871MIN 10.5% nuk është përcaktuar në test raport”, thuhet ndër tjera në arsyetimin e anulimit.

Hera e fundit kur MINT kishte blerë grurë ka qenë janari i vitit 2018. Në atë vit ishte blerë grurë në vlerë prej: 216.500,00 eurove, nga kompania “KOS COMMERC”, që për pronarë e ka biznesmenin Agim Behlulin, i cili që disa vite është këshilltarë në Kuvendin e Podujevës nga radhët e LDK-së.

Behluli thotë se tash nuk ka konkurruar, ngase siç thotë ai, nuk dëshiron të ketë fortë punë me strukturat aktuale udhëheqëse.

“Tenderin e kam parë në ministri, kanë qenë përsëritje i të kaluarit. Unë personalisht nuk kam konkurruar se i kam pasur disa probleme shëndetësore edhe skam dashur të merrem me atë punë. Që të kesh punë me ata duhet me i pas nervat goxha të forta, e kur ta krysh punën me ta, duhesh me shku nja dy muaj me ndej ne mal me arusha”, tha ai për lajmi.net.

Ai ka treguar se sa tonë grurë ka dërguar ministri deri më tani, ndërkohë thotë se sasia e grurit që posedon ministria mjafton vetëm për disa ditë, në rast nevoje.

“Ministrisë tri here u kemi dërguar grurë, herën e fundit ua kemi dërguar 1200 tonë. Por komplet rreth 4000 tonë i kemi dërguar vetëm ne. Ata i kanë pasur edhe nja 1000 më herët. Kështu që me sa di janë pak 5000 tonë. Komplet ai grurë ka qenë në mullirin Universal Fud, ndërkohë që nga aty e kanë dërguar diku tjetër më duket, a e kanë dërgu të gjithin a jo, nuk e di. Në Kosovë shpenzohen 600 tonë miell brenda 24 orëve. Për të fituar 600 tonë miell, duhet të kihen 800 tonë grurë. Na që sa vjet i kemi veç 5000 tonë rezervë, që Kosova i shpenzon për 7 ditë”, tha tutje Behluli.

Ai tha se çmimi i grurit është rritur shumë në BERZA dhe se ka mungesë të këtij produkti në rajon. “Kinezet e kanë blerë krejt grurin në Kroaci dhe Suedi. Ka mungesë të madhe, ndërkohë është shtrenjtuar shumë kohëve të fundit”, shtoi ai.

Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit strategjik afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments