Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për “Falsifikim”.
Sipas njoftimit të PK-së, gjatë ditës së sotme Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar kontroll në tri lokacione në qytetin e Graçanicës dhe të Lipjanit, ku sipas informacioneve ekzistonte dyshimi se një subject është përfshirë në veprimtari kriminale, e që dyshohej se merrej me krijimin e faturave fiktive që shërbenin për shmangie të tatimit.
“Sot më datë 12.10.2021, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar kontrollin në tri lokacione në qytetin e Graçanicës dhe të Lipjanit, ku bazuar në informacione relevante ekzistonte dyshimi se një subjekt është i përfshirë në veprimtari penale, respektivisht aktivitetin kriminal e zhvillon duke falsifikuar faturat, duke krijuar fatura fiktive lidhur me deklarimet pranë organeve kompetente me qëllim të shmangies së tatimit”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.
Gjatë operacionit të bastisjes dhe kontrollit në këtë subjekt, konkretisht në banesën dhe në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë apo provat si në vijim:
· Katërmbëdhjetë (14) vula të kompanive të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur për falsifikim,
- Një (1) veturë e tipit Peugeot,
- Një (1) telefon Iphone ,
- Tre (3) llaptop,
- Dy (2) shtëpiza kompjuteri,
- Një (1) DVR me video inçizime,
- Një (1) Hard disk i jashtëm,
- Katër (4) foldera me dokumentacione dhe fatura të ndryshme,
- Një (1) palë pranga,
- Dy (2) kuti me produkte medicinale të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara,
- Pesëdhjetë e tetë mijë (58,000.00) euro para të gatshme.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, mbështetur nga Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Inspektorët Farmaceutik dhe një ekip nga Krim-teknika e Drejtorisë rajonale e Policisë në Prishtinë.
Të gjitha veprimet operative janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me urdhër të së cilës të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.