Armenia i ka kërkuar Moskës ndihmë për mbrojtje kundër Azerbajxhanit, pas rikthimit të përplasjeve të përgjakshme në zonën kufitare, një vit pasi një armëpushim i pati dhënë fund një lufte intensive në rajonin e Nagarno-Karabakut.
Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan ka thënë më 16 nëntor se forcat e saj kanë parandaluar “provokime të shkallës së lartë”, nga forcat armene në Kalbajar dhe Laçin, rajone në kufi me Armeninë.
Sipas Ministrisë, dy ushtarë të saj janë plagosur pasi njësitet ushtarake armene kanë përdorur mortaja dhe artileri kundër pozicioneve të forcave të Azerbajxhanit në kufi.
Në anën tjetër, Ministria armene e Mbrojtjes, ka akuzuar ushtarët e Azebajxhanit se kanë qëlluar në pozicionet e saj në kufi, duke përdorur artileri, makina të armatosura dhe armë tjera.
Sipas Ministrisë, 12 ushtarë armenë janë zënë nga forcat e Azerbajxhanit.
Eduard Aghajanian, udhëheqës i Komisionit parlamentar për Çështje të Jashtme në Armeni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sipas vlerësimeve preliminare, 15 ushtarë armenë mund të jenë vrarë në luftime.
Ministria e Jashtme e Armenisë ka lëshuar një delaratë, duke i bërë thirrje Rusisë si dhe anëtarëve të Organizatatës së Traktatit për Siguri Kolektive, duke përfshirë Kazakistanin, Bjellorusinë, Kirgizinë dhe Taxhikistanin, që të intervenojnë dhe të marrin masa për të “larguar forcat e armatosura” të Azerbajxhanit nga territori i Armenisë.
Të martën, Kremlini ka thënë përmes një deklarate se, presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri armen, Nikol Pashinian, kanë diskutuar për situatën, në një thirrje telefonike më 16 nëntor.
Mekanizmat ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në kufirin mes dy shtetve, pas raportimeve për tri ditë me incidente.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përshkruar situatën në rajon “sfiduese” dhe ka bërë thirrje për shtensionim dhe armëpushim të plotë.
Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.
Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.