Pas shumë zërave për një shkarkim të mundshëm të Ole Gunnar Solskjaer nga posti i Manchester United, duket se norvegjezi do të vazhdojë të jetë në krye të klubit.
Gazetari i mirënjohur italian, Fabrizio Romano ka dhënë përditësimet e reja rreth situatës së Solskjaer dhe sipas tij është kuptuar se ai do të qëndrojë në stolin e United për së paku edhe në ndeshjen derbi në fundjavë ndaj Tottenhamit.
“Vendimi nga pjesa kryesore e bordit të Manchester United tani është konfirmuar/miratuar. Kuptimi im është se Ole Gunnar Solskjær do të jetë patjetër në krye për ndeshjen e Tottenhamit të shtunën. Ferguson e mbështeti atë. Ole gjithashtu foli me lojtarët sot. Ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare”, ka konfirmuar Romano në Twitter.
Romano më herët gjithashtu ka theksuar se Antonio Conte do të ishte i hapur që të bëhej menaxher i djajve nëse klubi anglez do të shkarkonin Solskjaer nga posti i menaxherit.