Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaApeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-kryetarit të Gjilanit dhe të tjerëve

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-kryetarit të Gjilanit dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishin liruar nga akuza për korrupsion me tenderë dhe krim të organizuar, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit tjerë.

Gjykata Themelore në Pejë, më 13 prill 2023, shpalli aktgjykim lirues ndaj: Qemajl Mustafës, Hatixhe Dakut, Vehbi Gecit, Qefsere Sadriut, IIjaz Rashitit, Musa Nasufit, Muhamet Kastratit, Fatmir Halilit, Drita Bajramit, Agim Hoxhës, Ramush Musliut, Selvije Shefkiut, Ganimete Kastratit, Shemsedin Qerimit, Merita Canaj-Shabanit, Ibrahim Foniqit, Hamdi Ismajlit, Fadil Osmanit, Heset Asllanit, Selver Xhelilit, Qemajl Latifit, Enver Biqkut, Asllan Mustafës, Naser Sylejmanit, Zeqirja Fazliut, Azem Mujkut, Nazmi Jasharit, Avdi Pirevës, Rrustem Hajdarit, Florim Zukës, Skender Imerit, Naser Mehmetit, Mejdi Ahmetit, Asllan Asllanit dhe Asllan Sylës, për veprat penale “Krimi i organizuar”, “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më vendimin e 30 tetorit 2023, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 13 prillit 2022.

Kjo pasi, kundër aktgjykimit të Themelores në afat ligjor ankesë kishte ushtruar PSRK, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 383, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPP-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, nga neni 383, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPP-së, me propozim që shkalla e dytë ta anulojë aktgjykimin e atakuar dhe lëndën ta kthejë në shkallën e parë në rivendosje.

Ndërsa, mbrojtja e 12 të akuzuarve: Mustafa, Geci, Osmani, Sadriu, Bajrami, Nasufi, Halili, Sylejmani, Hoxhës, Asllanit, Zukës dhe Shefkiut, kishin propozuar që Gjykata e Apelit aktgjykimin e shkallës së parë ta vërtetojë, kurse ankesën e PSRK-së ta refuzojë plotësisht si të pabazuar.

Në vendimin e Apelit thuhet se PSRK në ankesë ka pretenduar se Themelorja në këtë çështje juridiko-penale nuk ka vërtetuar drejt gjendjen faktike kur konstatoi se në veprimet e të akuzuarve nuk është provuar se ekzistojnë elementet e veprave penale për të cilat edhe janë ngarkuar.

Sipas Prokurorisë, në shkresat e lëndës ka qenë urdhëresa e 7 nëntorit 2012 e lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, e cila urdhërese është lëshuar në bazë të kërkesës së prokurorit (për masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit), e 6 nëntorit 2012.

“Ndërsa në aktgjykimin e shkruar, gjykata e shkallës së parë provat materiale përgjimi i telekomunikimeve të siguruara dhe të administruara si provë i ka shpallë të papranueshme sepse sipas gjykatës janë marrë në kundërshtim me dispozitën e nenit 264 par. 2 lidhur me paragrafin 1 të KPPPK-së. Në këtë pjesë qëndron dallimi në mes të aktgjykimit të shpallur dhe atij të shkruar”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Në vendim thuhet se Apeli gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPPRK-së, të pretenduar me ankesë, nga fakti se dispozitivi është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin në të cilin janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta të fakteve vendimtare, së bashku me arsyet me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike të kësaj çështjeje penale dhe se nuk përmban asnjë shkelje tjetër e cila kishte për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar.

“Gjykata e Apelit gjen të pabazuar pretendimin ankimor se aktgjykimi nuk është përpiluar konform nenit 370 të KPP-së, më saktësisht nenin 370 par. 1 të KPP-së, ku aktgjykimi i shpallur ndryshon apo nuk është i njëjtë me aktgjykimin e shkruar. Kjo për faktin se me shikimin e shkresave të lëndës, rrjedh se aktgjykimi i shpallur më datë 13.04.2022, në të cilën është konstatuar se “trupi gjykues, pas këshillimit dhe votimit, sot me datë 13.04.2022, një zëri mori dhe shpalli publikisht në bie;…, është i njëjtë me aktgjykimin e shkruar, e në këtë rast me aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, Apeli e gjeti si të pabazuar pretendimin ankimor se gjykata e shkallës së parë gabimisht është thirrur në nenin 264, par 2 lidhur me paragrafin 1 të KPPPK-së, duke konsideruar se kanë të bëjnë prapë me shkelje të procedurës penale, pasi në rastin konkret nuk ka shkelje të neni 264, par. 2 lidhur me par.1, e që në rastin konkret të akuzuarit janë ngarkuar për vepra penale të parapara në nenin 257, par. 3 pika (i) të KPPPK-së, sepse dënushmëria ka qenë më shumë se katër vite, dhe pika (ii) sepse të akuzuarit janë akuzuar për një nga veprat e krimit të organizuar.

Gjykata e shkallës së parë, për vërtetimin e gjendjes së fakteve nga provat e administruara, pas analizimit dhe vlerësimit të tyre ka ardhur në përfundim se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale, të pretenduara si në aktakuzë.

Aty thuhet se marrë parasysh që provat materiale të siguruara përmes sms, u shpallën të papranueshme, si të tilla nuk mund të përdoren për vërtetimin e ndonjë fakti, e në mungesë të provave tjera të propozuara nga Prokuroria, shkeljet e tilla mbeten në nivel të supozimit, e jo të argumentuara, dhe se këto provat materiale të cilat ndërlidhnin pretendimin e Prokurorisë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit për aktivitetet e prokurimit nën pikën I, II, IV, V,VI, VIII, X, XII, XIII, XIV, XVII, XVIII, nuk u argumentuan me provat e administruara për një pretendim të tillë të ngritur nga Prokuroria Speciale.

Andaj, sipas vendimit thuhet se duke pasur parasysh se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, edhe kolegj penal i kësaj Gjykate është bindur se gjykata e shkallës së parë arriti në përfundimin e drejtë, se nga provat e administruara nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Kujtojmë se “Betimi për Drejtësi” në emisionin e 275-të me titull “Dështimi i Prokurorisë në shkallë të parë: Rasti Qemajl Mustafa”, solli hulumtimin rreth dështimit të Prokurorisë në shkallë të parë, në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 16 shtator 2016, në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka fillimisht ngarkoheshin 39 të pandehur, prej të cilëve 29 kanë qenë zyrtarë komunalë dhe 10 operatorë ekonomikë, mirëpo ky numër ishte ulur, pasi për të akuzuarit H.M dhe B.M., ishte pushuar procedura pasi kanë ndërruar jetë, kurse ndaj Burim Govorit ishte veçuar procedura.

PSRK pretendonte se ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe tjerët, kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, andaj ngarkoheshin me vepra penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments