Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaApeli ua njeh veteranëve të UÇK-së të drejtën në dy pensione

Apeli ua njeh veteranëve të UÇK-së të drejtën në dy pensione

Autoritetet qendrore nuk ua njohin të drejtën invalidëve e veteranë të UÇK-së që, pasi t’i mbushin 65 vjeç, krahas pensionit për kontributin në luftë, ta marrin edhe atë të pleqërisë ose kontributdhënës. Veteranët e invalidët që i janë drejtuar gjykatës, i kanë fituar rastet. E Gjykata e Apelit, në një përgjigje për KOHËN, ka listuar arsyet mbi bazën e të cilave është duke i aprovuar ankesat e paditësve.
Brahim Brahimi, që është invalid i luftës së UÇK-së, kërkon që tash kur ka dalë në pension t’i njihet edhe e drejta për marrjen e pensionit kontributdhënës, krahas pensionit si invalid lufte.

Ligji për skemat pensionale obligon pensionistët ta zgjedhin njërin pension.

Por, Brahimi thotë se ka kontribuuar për shumë vjet si arsimtar dhe e konsideron të padrejtë ligjin.

“Ka raste që njerëzit i kanë marrë nga dy pensione. Unë po befasohem se këta të TMK-së i marrin nga dy pensione, edhe që kanë qenë në TMK, por edhe atë të pleqërisë, e mua as pensioni i pleqërisë nuk më ka takuar. Nuk e di si është e mundur kjo. Kërkesë e imja është që të më njihet e drejta e pensionit të pleqërisë dhe si kontributdhënës, sepse 41 vjet kam punuar në arsim, dhjetë gjenerata i kam përcjellë. Kam kontribuuar dhe obligimin ndaj shoqërisë e kam kryer, por edhe shoqëria tash ka obligim ndaj nesh”, ka thënë ai.

Përfaqësues të veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga, siç kanë thënë, të drejtat e tyre.

E, Njazi Gashi, kryetar i pensionistëve të Kosovës, ka theksuar se ka raste që Gjykata e Apelit ka nisur t’ua njohë të drejtën veteranëve e invalidëve për dy pensione.

“Unë besoj që gjykata do t’ua pranon të gjithëve të cilët kanë për t’u ankuar dhe që parashtrojnë ankesa, sepse kjo është një e drejtë elementare e njeriut, sepse njeriu është plagosur në luftë, por në të njëjtën kohë e ka edhe kontributin e punës, andaj pse me ia marrë këtë kontribut të punës për të cilin ka ndarë mjete nga ajo pagë për pensionin dhe pse t’i mohohet e drejta që ai ka mbetur invalid në kushte lufte apo ka qenë veteran i luftës”, ka thënë Gashi.

Gjykata e Apelit nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se pensioni për dëshmorët, invalidët e luftës, viktimave civile të luftës, është pension familjar, jo personal, e i cili rregullohet me Ligj specifik.

Si argument, Gjykata i është referuar nenit 23 të ligjit, sipas të cilit “shfrytëzuesit e pensionit bazë, mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji”.

“Mbi këtë bazë ligjore, gjykata ka aprovuar ankesën e paditësve të cilëve nga ana e MPMS-së u është ndërprerë njohja dhe gëzimi i këtij lloj pensioni duke u bazuar në atë se shfrytëzuesit e pensioneve nuk kanë të drejtë t’i gëzojnë dy lloje të pensioneve nga skema pensionale”, thuhet në përgjigjen e Apelit. “Ndërkohë që gjykata gjeti se pa të drejtë i është mohuar kjo e drejtë sepse, sipas nenit 23, paragrafi 2e, i cili është ligj i veçantë për këtë kategori të pensioneve dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera, andaj kjo e drejtë nuk hyn të Ligjin për skemat pensionale, të cilat rregullohen me të njëjtin ligj dhe nuk mund të merren dy lloje njëkohësisht”.

Sipas Apelit, ky ligj përveç të drejtës edhe në pension bazë, anëtarëve të tjerë të familjes ua lejon shfrytëzimin edhe të ndihmës sociale sipas kushteve të parapara nëse i plotësojnë.

“Këto të drejta u garantohen palëve me këtë ligj, i cili është ligj special dhe ka përparësi në raport me të gjitha ligjet e tjera të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Apelit.

Krahas veteranëve e invalidëve të UÇK-së, autoritetet qendrore nuk ua njohin të drejtën as pensionistëve kontributpagues që ta marrin njëkohësisht edhe pensionin e pleqërisë.

Në një përgjigje me shkrim, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se deri më tash nuk ka ndonjë rast në të cilin gjykatat kanë vendosur në favor të pensionistëve që të marrin pensionin e pleqërisë dhe atë kontributdhënës nëse ata marrin edhe pensione të tjera”.

Ministria e Financave prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments