Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia ulur dënimin me burgim nga dy vite në një vit burgim ish-ministrit të shëndetësisë Numan Baliq, të akuzuar për sulm seksual.
Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Baliq, avokatit Salih Mekaj ndërsa ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Pejës si të pa bazuar.
Baliq është akuzuar nga prokuroria se duke u ushtruar detyrën e mjekut në Spitalin e Pejës ka keqpërdorur gjendjen e të dëmtuarës për qëllime seksuale.Sipas prokurorisë, i akuzuari e kishte cytur viktimën që ta prekë me qëllime seksuale pa pëlqimin e saj.
Ai ishte dënuar me dy vite burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, në të cilin dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Po ashtu, ndaj Baliqit ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit ka bërë ricilësimin e veprës penale, ashtu që nga vepra penale “Sulm seksual” nga neni 229 paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në veprën penale “Sulm seksual” nga neni 229 paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilën vepër i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Ndërsa, sipas këtij vendimi pjesa tjetër e aktgjykimit të shkallës së parë mbetet e pandryshuar kurse ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë refuzohet si e pa bazuar.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjendja faktike në këtë çështje juridike penale me aktgjykimin e ankimuar është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, sa i përket veprës penale “Sulm seksual” nga neni 229 paragrafi 1, por jo sa i përket veprës penale “Sulm seksual” nga neni 229 paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.2 të KPRK-së, andaj kolegji i Gjykatës së Apelit ka bërë ricilësimin juridik të të njëjtës vepër penale, ndaj të të njëjtit të akuzuar.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për pjesa tjetër e aktgjykimit të atakuar ankimohet pa të drejtë.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka zbatuar ligjin dha ka marr vendim meritor, pasi që për këtë vepër penale janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale dhe se nuk ekzistojnë rrethanat që e përjashtojnë përgjegjësinë penale ndaj të akuzuarit.
Sipas këtij vendimi, Apeli duke shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, e pas ndryshimit apo ricilësimit të veprës penale që është bërë nga kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se pretendimet ankimore të Prokurorit janë të pa bazuara, sepse pretendimet e të njëjtës ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, janë para ricilësimit të vepër penale nga kolegji i kësaj gjykate.
Tutje, Kolegji Penal i kësaj Gjykate, pas ri cilësimit juridik të veprës penale ndaj të akuzuarit, në veprën penale “Sulm seksual” nga neni 229 paragrafi 1 të KPRK-së, ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Sipas këtij vendimi, duke pasur parasysh kryerjen e kësaj vepre penale, Gjykata e Apelit ka gjetur vetëm rrethana rënduese, duke u thirr në atë se i akuzuari Baliq është me arsimim të lartë, profesionit si mjek, eksperiencës së tij në fushën shëndetësore dhe mënyra e trajtimit të pacientëve dhe palëve, vendi dhe koha e kryerjes, institucioni ku është kryer vepra etj.
Sipas Apelit, ky dënim është në proporcion me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si ekzekutor dhe me intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur, e posaçërisht duhet të jetë në funksion të preventivës gjenerale dhe asaj individuale dhe se me dënimin e shqiptuar tani, do të mund të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së.
Ndryshe, Numan Baliq në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 6 tetor 2020, kishte deklaruar se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale që po e akuzon Prokuroria Themelore e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me kërkesën e prokurorisë dhe palës së akuzuar, me 10 shkurt të këtij viti, gjykimi penal ndaj të akuzuarit Baliq ishte mbyllur për publikun.
Sipas aktakuzës të ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësorë duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e dëmtuara, në natën kritike kishte qenë duke e shoqëruar fëmijën e saj 6 muajsh, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.
Sipas aktakuzës, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut/kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme.
E dëmtuara, vazhdon aktakuza, duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, më pas e raporton rastin në Polici.
Për këto veprime, Numan Baliq po akuzohet për veprën penale “Sulmi seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.