Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë që nuk është se ka pritur që do e fitojnë Prishtinën qysh në rundin e parë në zgjedhjet e 17 tetorit.
Vitia në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova, tha që kjo ndodhi pasi kishin vetëm dhjetë ditë fushatë të cilat sipas tij, ishte e pamjaftueshme për të prezantuar programin e tij për Prishtinën.
“Sa i përket Prishtinës, është një rezultat i pritur pasi unë jetoj aty dhe e di si merr frymë Prishtina dhe natyrisht me dhjetë ditë fushatë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mua si kandidat i VV-së, është rezultat që e vlerësoj pa masë, pasi ka treguar një kulturë të jashtëzakonshme edhe demokratike edhe të votuesit të Prishtinës të cilët na kanë dhënë një shans që pjesën e balotazhit të kemi mundësi më shumë dhe më mirë të tregojmë se çfarë do të bëjmë për Prishtinën në katër vitet e ardhshme”, u shpreh ai.
“Me dhjetë ditë fushatë votuesi i Prishtinës nuk bindet. Ky është një shans e dytë të cilën votuesi na ka dhënë. Ka qenë rezultat i pritshëm nga ana ime ,pasi e kam besuar se do të jetë jashtëzakonisht vështirë dhe do të kishte me qenë befasi e këndshme po të fitoja në rundin e parë. Ka qenë e pamundur që në këto ditë të prezantohet programi dhe të bindet qytetari i Prishtinës se ne e kemi seriozisht”.