Qytetarë të shumtë në Prishtinë janë ankuar për faturat e ngrohjes për muajin tetor 2024, të cilat ata i konsiderojnë jashtëzakonisht të fryra.
Vendosja e pajisjeve matëse në radiatorët e banesave ishte pritur me shpresën për një përllogaritje më të drejtë të shpenzimeve, por këto fatura të para duket se kanë shkaktuar shqetësim të madh.
Në lidhje me këto shqetësime, NP “Termokos” ka dhënë një përgjigje zyrtare për Paparacin.
Termokosi shpjegon se vendosja e pajisjeve matëse përmes projektit “Prishtina Heat Save” ka për qëllim kursimin e energjisë termike dhe zvogëlimin e shpenzimeve për ngrohje për konsumatorët.
Projekti ka si objektiv që konsumatorët të kuptojnë se kursimi i ngrohjes nuk është thjesht një detyrë e Termokosit, por një përgjegjësi e përbashkët.
Për të ndihmuar në këtë proces, kompania ka realizuar fushata vetëdijësuese për të informuar qytetarët mbi përdorimin e drejtë dhe racional të radiatorëve dhe metodave për të ulur shpenzimet e ngrohjes.
“Para së gjithash realizimi i projektit “Prishtina Heat Save”, përkatësisht vendosja e pajisjeve matëse në radiator ka për qëllim kursimin e energjisë termike, gjë që do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shpenzimeve të konsumatorëve tanë për ngrohje. Kjo do të mundësohet vetëm atëherë, kur do të ndryshohen edhe shprehitë për kursimin e ngrohjes, përkatësisht shfrytëzimin sa më racional të saj. NP “Termokos” në vazhdimësi ka realizuar fushata vetëdijësuese për të udhëzuar konsumatorët tanë për përdorimin e pajisjeve të vendosura në radiatorët e tyre dhe metodat e kursimit të energjisë ngrohëse. Në rastet, kur konsumatorët u janë përmbajtur këtyre rekomandimeve kanë pranuar fatura më të ulëta”.
Termokosi shpjegon se sistemi i ri faturimit është i pajisur me teknologji të avancuar që lejon leximin e shpenzimit të energjisë nga distanca, duke eliminuar kështu çdo mundësi për manipulime në përllogaritje.
“Sistemi i ri faturimit sipas konsumit është sistem modern, në kuadër të të cilit janë vendosur pajisje, që janë fjala e fundit e teknologjisë për sisteme të tilla. Në saje të softverëve të instaluar leximi i shpenzimit bëhet nga distanca. Është sistem i saktë i leximit, që evidenton çdo ndërhyrje të paautorizuar në këtë sistem dhe nuk ka asnjë mundësi manipulimi në përllogaritje”, thotë për Paparacin Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në atë kompani.
Për më tepër, Termokosi pranon se ndryshimi nga metoda e mëparshme, e cila llogariste faturën sipas metrave katrorë, mund të sjellë pakënaqësi fillestare.
Kjo është arsyeja pse kompania ka inkurajuar përdoruesit që të marrin masa për të kursyer energjinë termike, duke përfshirë uljen e temperaturës së radiatorëve gjatë orëve kur nuk janë në shtëpi dhe përdorimin e valvulave termostatike për të rregulluar ngrohjen.
Tutje, ata theksojnë se çdo ankesë e konsumatorëve do të trajtohet me kujdes të veçantë.
“Çdo ankesë e konsumatorëve tanë do të trajtohet me kujdes të shtuar. Për më tepër, ka qenë e pritshme, që kjo metodë e re faturimi mund të shoqërohet edhe me pakënaqësi fillestare të konsumatorëve tanë, pasi që është një metodë krejt e ndryshme prej përllogaritjes së faturës sipas m/2 dhe si e tillë domosdoshmërisht kërkon kujdes të shtuar për kursimin e energjisë termike”, thotë më tej Uka-Fejzullahu./