Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaAnëtarja e partisë, drejtori i shkarkuar dhe ish -menaxheri i akuzuar për...

Anëtarja e partisë, drejtori i shkarkuar dhe ish -menaxheri i akuzuar për ryshfet- Kuvendi pritet të votojë për kandidatët për anëtarë të KPMM

Një anëtare e partisë, një ish-kandidat për deputet, një drejtor i shkarkuar muajin e kaluar dhe dy zyrtarë që iu shpëtuan akuzave për ryshfet e kepërdorim të detyrës zyrtare janë njerëzit që Qeveria i ka propozuar për anëtarë të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Tre prej tyre pritet të bëhen anëtarë të bordit të KPMM-së, organit që i rregullon aktivitetet minerare në vend. Pushteti i ka votat e mjaftueshme në Kuvend për t’i dërguar tre të preferuarit në ato pozita.

Qeveria e Kosovës të premtën mbajti një mbledhje elektronike në të cilën miratoi vetëm dy vendime. I pari: një listë e kandidatëve që Ekzekutivi i propozon për tre anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi, Bahri Karaça, Avdi Mjeku, Hasan Preteni dhe Kaltrinë Demiri janë gjashtë emrat e propozuar. Tre prej tyre pritet të bëhen anëtarë të bordit të KPMM-së.

Këta emra janë dërguar në Kuvend, institucionin ku më pasë do të mbahet një seancë për votim

Kush janë kandidatët e propozuar?

Habib Basholli, sipas asaj që ai vetë ka shkruar në Facebook, është profesor në Kolegjin Biznesi në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit në Akademinë Ballkanike të Shkencave të Përpunimit të Mineraleve.

Ai thotë se punon edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës. Më herët mbante një pozitë si ekspert për minierat dhe përpunimin e qymyrit në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, siç quhej dikur ky dikaster.

Në vitin 2019, Basholli ishte pjesë edhe e listës së kandidatëve për drejtorë të Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Nasuf Mjekiqi ka qenë menaxher i minierave në korporatën metalurgjike “Ferronikeli” në Drenas. Ai për disa vjet kishte pasur punë me drejtësinë. Akuzohej për marje ryshfeti, por në fund, në vitin 2018, Gjykata e Apelit i dha fund ndjekjes ndaj tij, kur pati vendosur ta refuzonte kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës kundër aktjgykimit refuzues të gjykatës së shkallës së parë.

Rikualifikimi i veprës penale, siç kishte thënë kryetari i trupit gjykues në shkallë të parë, ishte bërë me arsyetimin që ai e kishte kryer punën që kishte qenë i detyruar që ta kryente dhe se parashkrimi absolut i ndjekjes penale në këtë rast ishte arritur në vitin 2016.

Bahri Karaça ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të minierës “Trepça” më 18 janar, një ditë pasi 12 minatorë ishin lënduar si pasojë e shpërthimit të një cisterne me acidi sulfurik në horizontin e 11-të të minierës. Disa kishin marrë lëndime serioze në sy dhe ishin në gjendje të rëndë.

Para katër muajsh, për inxhinierin Karaça ishte raportuar se ishte sulmuar te zyra e tij nga një inxhinier tjetër, për shkak të shqiptimit të një vërejtjeje.

Avdi Mjeku ka qenë drejtor i Inpeksionit në Komunën e Obiliqit. Dy herë ishte liruar nga një akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në fund të vitit 2020 kishte përfunduar procesi gjyqësor ndaj tij. Aktakuza se Mjeku në cilësinë e drejtorit të inspektimit e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare për dy vjet duke lejuar ndërtimin e objekteve në zonën e interesit të veçantë ekonomik të quajtur “Fusha e Mihjes së Re” në Obiliq, ra në mungesë të provave, sipas vendimit të gjykatës.

Hasan Preteni ka qenë drejtor në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në zgjedhjet e vitit 2017, Preteni kishte garuar si kandidat për deputet nga Alternativa, partia e Mimoza Kusari-Lilës, në një koalicion me LDK-në e AKR-në. Pasi s’kishte arritur të bëhej deputet, një vit më vonë ishte emëruar anëtar i bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Termokos”.

Kaltrinë Demiri është radhitur e fundit në listën emrave të përpiluar nga Qeveria për anëtarë të bordit të KPMM-së. Ajo është anëtare e partisë Guxo.

Demiri është inxhiniere e ndërtimtarisë dhe në zgjedhjet e fundit lokale kishte kandiduar për asamble komunale në Lipjan nga LVV-Guxo.

Ajo ka marrë pjesë vazhdimisht në aktivitetet e partisë së Donika Gërvallës e Faton Pecit, duke e ndarë angazhimin e saj në parti edhe në Facebook. Llogarinë në këtë rrjet social, duket se tash e ka mbyllur.

Si ishin shkarkuar kryesuesja dhe tre anëtarët e bordit të KPMM-së?

Kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Selvete Grajqevci-Pllana dhe anëtarët Rrezarta Pushkolli, Gani Maliqi dhe Gani Kastrati u shkarkuan në Kuvend në tetor të vitit të kaluar.

62 deputetë kishin votuar për shkarkimin e Grajqevci-Pllanës dhe dy kishin abstenuar; 61 deputetë kishin votuar për shkarkimin e Pushkollit, tre kishin abstenuar; 60 deputetë kishin votuar dhe tre kishin abstenuar për shkarkimin e Gani Maliqit; ndërsa për shkarkimin e Gani Krasniqit, pro ishin 62 deputetë, dy kishin abstenuar.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte një nga ata që kishte abstenuar.

Deputetët e opozitës nuk kishin marrë pjesë në atë votim, duke kundërshtuar shkarkimin e bordit të KPMM-së, në kohën kur minatorët e “Trepçës” ishin në grevë.

Kuvendi kishte miratuar edhe një rekomandim të Komisionit parlamentar për Ekonomi që një vendim i KPMM-së për zvogëlimin e borxhit të “Ferronikelit” nga 9 milionë në rreth 1 milion euro, të kthehej në rivendosje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments