Votimi i Serbisë pro rezolutës së OKB’së për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe që Moska të ndalë luftimet dhe të tërheqë forcat e saj, është mirëpritur nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret.
“Mirëpresim bashkimin e Serbisë me 141 vendet anëtare të OKB’së që shprehin solidaritetin me Ukrainën e cila është viktimë e agresionit ushtarak”, shkroi ai në Twitter.
Por Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.
Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për momentin, sepse ajo “udhëhiqet nga interesat e saj jetike ekonomike dhe politike”.
“Serbia respekton normat e së drejtës ndërkombëtare, por Serbia gjithashtu i kupton mirë nevojat e saj dhe pavarësisht se çfarë do të donte dikush, Serbia ka interesat e saj jetike kombëtare dhe shtetërore. Ajo respekton miqësitë tradicionale”, kishte thënë Vuçiq.