Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalene Baerbock, sapo ka arritur në Kosovë në vizitën e saj dyditore.
Në aeroport doli ta presë homologja e saj, Donika Gërvalla.
Por, një pritje tjetër me diçka karakteristike kosovare ia ka bërë gati ambasadori i Gjermanisë që shërben në Kosovë, Jorn Rohde.
“Bashkë me ambasadorin kosovar në Gjermani, Fauk Ajeti me një makiato kosovare, jemi gati ta mirëpresim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalene Baerbock në Prishtinë, pas pak minutash”, ka shkruar ai në Twitter.
Pas Gërvallës, Baerbock do ta takojë presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe një orë më pas kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për media.
Kryediplomatja gjermane para nisjes së vizitës zyrtare në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi ka thënë se disa nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë lënë pas dore. Por, ajo tha se shteti i saj e ka në prioritet, sidomos tani pas rrethanave që krijoi lufta në Ukrainë.