Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaAmbasadori Ajeti në mediumin gjerman i përgjigjet akuzave të Kishës Ortodokse Serbe:...

Ambasadori Ajeti në mediumin gjerman i përgjigjet akuzave të Kishës Ortodokse Serbe: Kosova është shtet multietnik

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, në një intervistë për revistën gjermane “Die Tagespost”, i është përgjigjur akuzave të Kishës Ortodokse Serbe.

Ambasada e Kosovës në Gjermani e ka publikuar të plotë intervistën e ambasadorit Ajeti, ku ai iu përgjigjet pyetjeve të mediumit gjerman, që lidhen kryesisht me propagandën e krerëve të Kishës Ortodokse të Serbisë dhënë mediumeve gjermanfolëse.

INTERVISTA:

TAGESPOST: Rreth 1,300 serbë thuhet se janë rrëmbyer në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Që atëherë, 386 trupa janë gjetur dhe identifikuar, thonë të afërmit e serbëve të zhdukur.

Ajeti: Dihet tashmë botërisht se viktima e parë e një lufte është e vërteta, por jo faktet. Sipas informacioneve të UNHCR-së, gjatë luftës së Kosovës deri në fillim të qershorit 1999, më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhunshëm nga regjimi serb. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë Luftës së Kosovës 1998-99, janë vrarë 13.518 persona (në mesin e tyre 10.794 shqiptarë, 2.197 serbë, ndërsa pjesa tjetër ishin grupe të tjera etnike që jetonin në Kosovë). 1,133 fëmijë gjetën vdekjen dhe më shumë se 20,000 femra shqiptare u përdhunuan. 1,647 njerëz janë ende të zhdukur (shumica e tyre janë në varreza masive në Serbi) dhe mbi 200,000 objekte shtetërore dhe private dhe 650 fshatra janë shkatërruar nga policia dhe njësitë ushtarake serbe. Në këtë kontekst, shumë pak është bërë nga Qeveria e Serbisë për shkak të mungesës së vullnetit të saj – pavarësisht dialogut të udhëhequr nga BE-ja në Bruksel – për t’ua kthyer autoriteteve kosovare trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ka edhe serbë që ende rezultojnë të zhdukur, por numri i të tyre është më i ulët se i shqiptarëve të Kosovës. Në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku ka edhe shumë trupa të tjerë; pastaj, ku trupat e shqiptarëve të Kosovës janë hedhur në Danub nga ushtria serbe ose janë djegur në (Kombinatin Industrial) të Trepçës për të fshehur provat.

TAGESPOST: Ka akuza ndaj UÇK-së, ku përmendet edhe trafikimi i organeve.

Ajeti: Kjo është pjesë e propagandës serbe dhe ruse kundër Kosovës. UÇK-ja nuk kishte asnjë lidhje me trafikimin e organeve, por ajo u themelua si reagim ndaj brutalitetit sistematik serb kundrejt shqiptarëve të Kosovës. Qëllimi i UÇK-së ishte çlirimi i vendit nga regjimi i Serbisë. Një gjykatë speciale është ngritur tashmë në Hagë për të hetuar akuza të tilla. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë dëshmi e vetme se një luftëtar i UÇK-së është përfshirë në trafikimin e organeve, këtë e ka thënë edhe ish-prokurori i Gjykatës Speciale, amerikani Clint Williamson.

TAGESPOST: Familjet e viktimave serbe thonë se atyre iu është mohuar aksesi në dosje dhe gërmime.

Ajeti: Kjo nuk është e vërtetë. Që nga fundi i luftës në Kosovë, me hetime të mundshme të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit janë marrë disa gjykata, sikurse Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, e UNMIK-ut, e EULEX-it dhe gjykatave vendore kosovare. Të gjitha akuzat e mundshme janë hetuar. Pra, më shumë ka pasur hetime në Kosovë, ku ne kemi qenë viktimë se sa ndaj serbëve në Serbi, të cilët kanë qenë agresorë. Pra, këtu kemi një qasje ambivalente ndaj viktimës dhe agresorit.

Megjithatë, çdo shkelje e mundshme e të drejtave të njeriut duhet të hetohet dhe të gjitha viktimat meritojnë drejtësi pavarësisht nga raca apo ngjyra, feja apo besimi, orientimi seksual apo gjinia.

TAGESPOST: Në vitin 2004, disa kisha u dogjën dhe varrezat u vandalizuan. Si mund të ndodhte kjo?

Ajeti: Në atë kohë, disa fëmijë shqiptarë po luanin futboll në veri të Mitrovicës, por u sulmuan papritmas nga serbët. Të frikësuar nga turmat e serbëve, disa fëmijë tentuan të kalonin lumin Ibër dhe humbur jetën. Kjo ishte ajo që shkaktoi trazirat. Kjo tregon se sa e brishtë ishte situata në atë kohë. Është e vërtetë se disa kisha ortodokse serbe u sulmuan në atë kohë, por këto sulme nuk janë përkrahur nga shumica shqiptare në Kosovë dhe ato sulme nuk pasqyrojnë sjelljen e shumicës. Qeveria e Kosovës ka marrë të gjitha masat për rinovimin e të gjitha kishave të shkatërruara. Në vitin 2004 ishin shqiptarët e Kosovës, madje edhe ish-luftëtarët e UÇK-së që mbrojtën objektet fetare, sikurse me Manastirin e Deçanit nga turma e zemëruar. Djegia e institucioneve fetare nuk ka qenë kurrë pjesë e traditës dhe kulturës shqiptare. Kjo dihet botërisht.

TAGESPOST: Përfaqësuesit e ortodoksisë serbe kanë frikë se pasuritë kulturore serbe tani mund të riinterpretohen si shqiptare.

Ajeti: Në negociatat e Vjenës 2006/07 Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është pranuar si e tillë dhe i janë garantuar të drejta të larta menaxhuese. Shumë kisha ortodokse serbe kanë qenë kisha katolike shqiptare shumë shekuj më parë dhe askush nuk flet për këtë. Disa kisha i përkasin edhe kohës së bizantit. Shqiptarët e pranuan krishterimin nën Perandorinë Romake shumë përpara se serbët të vinin në Ballkan. Kishat kryesore në Kosovë në periudha të hershme të Perandorisë Bizantine ishin faltore bizantine për të gjitha komunitetet: shqiptare, serbe, greke, vllahe etj. Dokumenti i parë i shkruar që flet për hierarkinë kishtare në Dardani, pra Kosovën e sotshme, është ai i Koncilit të Parë të organizuar nga Konstantini i Madh në vitin 323 me qendër kishtare në Scupin antik dhe më vonë në Ulpianë afër Prishtinës.

Shqiptarët e pranuan islamin tek pas ardhjes së osmanëve. Përveç kësaj, objektet kulturore serbe në Kosovë janë të banorëve të vendit dhe jo të Serbisë apo Shqipërisë, por të Republikës së Kosovës.

TAGESPOST: Serbët që ikën nga Kosova raportojnë se nuk mund të kthehen në qytetet e tyre të lindjes.

Ajeti: Kjo nuk është e vërtetë. Establishmenti serb në mënyrë permanente manipulon me të dhënat e pranisë së komunitetit serb në Kosovë. Ata e kanë plasuar numrin e serbëve në Kosovë me shifrën prej 200 mij. Sipas regjistrimit të fundit civil të pranuar nga shqiptarët dhe serbët, numri i serbëve ishte 180 mij. Sot, në Kosovë jetojnë rreth 120 mijë serbë. Pra, dy të tretat e serbëve qëndruan në Kosovë. Disa mijëra ikën, pasi shumë ishin pjesë e aparatit represiv të Beogradit dhe nuk shohin të ardhme në Kosovë. Mund t’ju tregoj për përvojën time personale. Në Komunën e Kamenicës prej nga vij, e cila ka qenë dhe është multietnike, të gjithë serbët e Kosovës që kanë jetuar para luftës ende jetojnë aty dhe kjo nuk është temë për ata. Por, temat që mbizotërojnë janë, si të gjejnë një punë më të mirë apo si të përmirësojnë standardin e jetesës.

TAGESPOST: A është e vërtetë që Manastiri i Deçanit ka 600 hektarë tokë dhe ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por qeveria Kurti refuzon ta zbatojë atë?

Ajeti: Kjo nuk ka lidhje me qeverinë Kurti. Qeveria e Kosovës nuk i mohon vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fjala është për 24 hektarë tokë, ku është paraparë ndërtimi i një rruge që lidh qytetin e Deçanit (në Kosovë) dhe qytetin e Plavës (në Mal të Zi). Ajo që e bënë shoqërinë civile të reagojë ndaj veprimit të Gjykatës Kushtetuese është se në vitin 1997 me vendim nga qeveria e atëhershme e Sllobodan Millosheviqit i janë dhënë prona, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të manastirit.

TAGESPOST: Shumë serbë kanë frikë nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në një “Shqipëri të Madhe”.

Ajeti: Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë bërë të qartë disa herë se bashkimi i të tyre do të bëhet vetëm në kuadër të BE-së. Kur nesër do të jemi pjesë e BE-së, kufijtë nuk do të kenë më rëndësi dhe ne do të jemi pjesë e familjes evropiane. Kjo është në përputhje me frymën e BE-së, e cila është një projekt paqeje. Nuk ka plan për krijimin e një shteti monoetnik të shqiptarëve apo “Shqipërisë së Madhe”. Kjo është pjesë e propagandës serbe. Në shekullin e 19-të ekzistonte ideja për krijimin e shtetit shqiptar nga viset e banuara me shqiptarë. Kur u shpall Republika e Shqipërisë në vitin 1912, dy të tretat e territoreve shqiptare mbetën jashtë saj, nën Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SHS). Në anën tjetër, askush nuk duhet frikësuar nga një republikë multietnike dhe e pavarur e Kosovës, por nga “bota serbe” e proklamuar tashmë nga presidenti serb Vuçiq.

TAGESPOST: A mundet Kosova t’u japë serbëve të drejta gjithëpërfshirëse të grupeve etnike për t’i integruar?

Ajeti: Kosova është shtet multietnik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron garancitë më të larta të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe minoritetet. Të gjitha minoritetet i kanë të drejtat e tyre të garantuara në kushtetutën tonë. 92 për qind e banorëve janë shqiptarë, pesë për qind serbë, pjesa tjetër përbëhet nga minoritetet tjera. Të gjitha pakicat janë të përfaqësuara në parlament dhe qeveri. Gjuha shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare. Çdo ligj apo rregullore duhet të botohet në të dyja gjuhët. Të gjithë lejohen të përdorin gjuhën e tyre, duke përfshirë edhe pakicat. Me fjalë të tjera, para pak kohësh, Kosova festoi 14 vjetorin e ekzistencës së saj si shtet i pavarur dhe ajo është bërë një shembull i ndritshëm i demokracisë në Ballkan.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments