Fjalimi i zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar për çështjen e Ballkanit Perëndimor ka ngjallur reagime në të gjitha vendet, e sidomos në Serbi.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sovraniteti i plotë i Malit të Zi, stabiliteti dhe gjithëpërfshirja në Bosnje dhe Hercegovinën e plotë dhe integrimi europian i gjithë rajonit u përmenden si synime të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor nga Escobar, shkruajnë mediat serbe.
“Qëllimi ynë është të mbështesim integrimin e suksesshëm të gjashtë vendeve në rajon në institucionet europiane dhe anëtarësimin eventual në BE. Ne po punojmë me partnerët tanë në Union për të forcuar mesazhin se pranimi është një opsion real dhe një stimul kyç për vullnetin politik të vendeve që aspirojnë këtë duke forcuar kështu rezistencën ndaj ndikimit të dëmshëm rus dhe kinez, si dhe aktivitetet në pragun e Europës”, tha ai.
Analisti serb, Sinisa Vukoviq thotë se fjalimi i Escobar konfirmon se një pjesë serioze e vëmendjes së administratës amerikane është kthyer nga Ballkani.
“Kam dëgjuar mesazhe të pritshme, të balancuara nga Escobar, të menduara, konkrete, që tregon se ky është një ekip që do të jetë mjaft i gatshëm për të trajtuar të gjitha sfidat për të cilat flitet shpesh kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Nuk kishte asnjë mesazh befasues, më e rëndësishmja, nuk kishte mesazhe që ishin shumë të buta ose të shtrembëruara diplomatikisht, në të njëjtën kohë nuk ishin shumë ekstreme, gjë që disa mund ta kishin pritur. Kjo nuk mund të pritet nga një i Dërguar Special sepse ai kryen një funksion që kërkon finesë të caktuar diplomatike”, tha Vukoviq për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Në shtator, Gabriel Escobar mori detyrën nga Matthew Palmer si i Dërguar Special për Ballkanin në Departamentin e Shtetit. Më parë, presidenti i SHBA-ve zgjodhi Jeffrey Hownier si ambasador në Kosovë dhe Michael Murphy në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa diplomatin Christopher Hill si ambasador të ri në Beograd. Vukoviq kujton se këta janë njerëz që kanë një përvojë të madhe në rajon.
“Për të gjithë ata që njohin praktikën diplomatike, nuk është e pazakontë që kaq shumë emërime t’u referohen njerëzve që kthehen në të njëjtin rajon për herë të dytë ose të tretë. Diplomacia shpesh ju çon në vende të ndryshme të botës dhe nuk pritet të bëheni ekspert. Këta janë përjashtimet, të cilët janë ekspertë për rajonin, gjë që dërgon një mesazh të fortë politik për rajonin dhe të tjerët të interesuar në rajon”, tha ai.
Christopher Hill doli në pension 10 vjet më parë dhe bëri një jetë të rehatshme akatemike, tha Vukoviq.
“Edhe pas 10 vitesh ka një ftesë për të ardhur në Beograd për të qenë ambasador, në një kohë kur atmosfera në Ballkan është mjaft e tensionuar, dikush nuk do ta pranonte atë punë pa një qëllim të qartë pse është atje.”, tha Vukoviq duke theksuar se Hill është i vetëdijshëm se emërimi i tij në Beograd i kontribuon forcimit të prezencës amerikane dhe projeksionit të interesave amerikane në Ballkan.
“Një prej tyre është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ose normalziimi nuk mund të jetë i plotë nëse nuk bëhet nga të dyja palët. Ndërmjetësuesit mund të ndihmojnë, të ndikojnë, të formojnë një realitet që do t’i frymëzonte ata t’i normalizojnë marrëdhëniet, por ka një grusht akterësh që prishin lojën”, tha ai.
Hill nuk është vetëm në këtë histori, sipas Vukoviq, pasi sipas tij Amerika është e gatshme të bashkëpunojë me BE-në dhe se do të ketë harmonizim midis partnerëve perëndimorë, gjë që u dëshmua nga Escobar.
“Edhe pse nuk jemi pjesë e dialogut dhe pjesë e procesit të negociatave, ne vazhdojmë të punojmë ngushtë.”, tha Escobar.
Sipas tij, Hill do të përfshihet shumë më aktivisht në proceset me rëndësi dhe thekson se Uashingtoni qëndron pas Brukselit lidhur më çështjet e Ballkanit Perëndimor.