Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij ambasadorët e QUINT-it, dy ditë pas komunikatës ku ata kërkuan zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe këshilltarja ligjore, Tea Blakaj, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, zëvendësambasadorin e Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për punën dhe vendimet e Qeverisë në përmbushje të prioriteteve të programit qeverisës.
Për masat e fundit kundër pandemisë COVID-19 që i përgjigjen situatës pandemike dhe monitorimin e vazhdueshëm që institucionet shëndetësore po i bëjnë variantit Omicron dhe për procesin e vaksinimit si mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga virusi dhe variantet e tij.
Kryeministri po ashtu foli për përkushtimin e Qeverisë për reformat në vend dhe integrimin Evropian dhe euro-atlantik të vendit, dhe rëndësinë që bashkëpunimi me shtetet e QUINT-it ka në arritjen e këtyre synimeve.
Ai falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme që si shtete partnere dhe mike i kanë ofruar shtetit dhe popullit të Kosovës.
Në fund të takimit u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e shfrytëzimit të ndërtesës në të cilën janë të vendosura zyrat e Bashkimit Evropian në Kosovë.