Friday, November 22, 2024
HomeLajmeKosovaAmbasadat si agjenci për organizimin e tubimeve të Kurtit me mërgatën

Ambasadat si agjenci për organizimin e tubimeve të Kurtit me mërgatën

Kryeministri Albin Kurti në kohën e skandaleve të njëpasnjëshme brenda ka vendosur që “punën” e tij katër-vjeçare ta shpalosë jashtë Kosovës.

Kritikat ndaj tij janë ashpërsuar pas skandalit me rezervat shtetërore, falja e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe audio-incizimeve mes shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin, kryeterroristin dhe organizatorin e sulmit në Banjskë. Biseda me të kishte ndodhur në kohën kur ai ishte futur në listën e zezë të SHBA-së.

Dhe në këtë kohë ai ka vendosur që të shkojë atje ku fjalët e tij janë “muzikë e mirë për vesh”: Në mërgatë.

Këtë është duke e bërë duke nëpërkëmbur ambasadat e shtetit të Kosovës, të cilat në javët e fundit janë duke shërbyer për organizimin e tubimeve dhe ftesave për pjesëmarrje në takim me kryeministrin Kurti dhe shefen e diplomacisë, Donika Gërvallën.

Ambasadat në Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani veçse e kanë kryer punën e tyre me organizimin e tubimeve në të cilat Kurti bën përpjekje të tregojë të “arriturat” e qeverisë së tij në katër vjetët e mandatit.

“Më patriotët”

Në Gjermani u tha se “patriotët dhe punëtorët më të mëdhenj ndër ne janë në diasporë, jo në Kosovë”, ndërkaq në tubimin në Oslo shkoi me çantë në krah, në përpjekje për të treguar “modestinë” e tij.

Në një tubim zgjedhor në Frankurt me shqiptarë, kryeministri Kurti ka shkarkuar një mori lëvdatash për diasporën shqiptare, duke thënë se “ju jeni më brenda Kosovës se sa ne atje” duke shtuar madje edhe se “patriotët më të mëdhenj, punëtorët më të mëdhenj, e studentët më të zotë janë në diasporë” e jo në Kosovë.

“Më lejoni ta filloj me një thënie të Faik Konicës të 1901 se ‘të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktor: emigrantët dhe një elitë e vogël e lindur apo intelektuale brenda vendit’. Ky është kombinimi fitues për kombin tonë. Por, përderisa atë kohë thuhej ‘elita brenda vendit’ ne në fakt sot filluam takim me studentë, ekspertë e shqiptarë në Frankurt, për t’u bindur se jo vetëm patriotët më të devotshëm dhe punëtorët më të mëdhenj, por edhe studentët dhe punëtorët më të zotë i kemi në diasporë”, tha Kurti.

“Prandaj kur themi që ne atje jemi brenda e ju jashtë, nuk jemi të sigurt; sepse kur i ke punëtorët e patriotët më të devotshëm në diasporë, dhe i ke mendjen më të ndritura jashtë, pra edhe zemra edhe truri edhe muskuli, atëherë të lind pyetja kush është brenda kush është jashtë? Ndoshta na atje brenda jena më jashtë se ju, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne që jemi atje”, tha Kurti.

“Me mundim dhe djersën tuaj janë paguar mësimdhënësit e gjuhës shqipe, por edhe u financua lufta çlirimtare e rezistenca paqësore, e sot asaj dite dërgesat tuaja janë 20% e BPV”, shtoi ai.

Ambasadat për aranzhim të hoteleve

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj ka kritikuar qasjen e pushtetit të Kurtit me ambasadat, të cilat i ka quajtur agjencione turistike.

Ka shprehur keqardhje për diplomatët e Kosovës të angazhuar nëpër Evropë.

“Kur i kthejmë ambasadat në agjenci turistike dhe për aranzhime të hoteleve, sallave e ndejave private, normal që del në pah Ganiu dhe honorari i tij prej 7 mijë e 500 eurove në muaj për t’u takuar me dosta dhe miq në emër të interesit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Miftaraj.

“Secili nga ne duhet të ndjejë keqardhje për diplomatët tanë në Evropë, të cilëve iu dhunohet integriteti dhe dinjiteti personal, duke i kthyer në agjentë turistikë”, ka shkruar ai.

Ku punon ti?

Në ambasadë të Republikës të Kosovës në Bruksel

Çka punon në ambasadë?

Punë logjistike kryesisht, organizojmë neja, party, tubime politike për Albinin, Donikën e secilit nga partia në pushtet.

E ti ku punon a çka punon?

Une në ambasadë në Oslo, njejte si ti ia mbaj zhagin partisë në pushtet, Albinit, Donikës, etj etj.

Kur i kthejme ambasadat në agjenci turistike dhe per aranzhime të hoteleve, sallave e nejave private, normal se del ne pah Ganiu dhe honorari i tij prej 7500 Euro ne muaj per me taku dosta e miq ne emer te interesit te Republikes se Kosoves.

Secili nga ne duhet te ndjen keqardhje per diplomatet tane ne Evrope te cileve iu dhunohet integriteti dhe dinjiteti personal duke i kthyer ne agjente turistik.

Të shtunën, PDK-ja nëpërmjet një konference për media kritikoi qeverinë e Kurtit për përdorimin e ambasadave dhe burimeve të shtetit për fushatë.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku ka thënë se pushteti po bën përpjekje të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare qeveritare.

“Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim”, ka thënë më tutje Çitaku.

Ajo ka akuzuar Kurtin e Gërvallën se po ushtrojnë presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi. Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie.   Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një axhende partiake.  Ju keni bërë betimin për t’i shërbyer Kosovës”, ka thënë sekretarja e PDK-së.

Mbrojtësja Gërvalla

Pas këtyre akuzave për keqpërdorim të ambasadave, në mbrojtje ka dalë kryediplomatja, Donika Gërvalla, e cila, ka akuzuar partitë e tjera që dikur kanë mbajtur pushtetin për mënyrën se si ka trajtuar mërgatën.

Në përpjekje për të fshehur skandalin e radhës për shfrytëzimin e ambasadave për thirrje për tubime të fushatës, Gërvalla ka thënë se të gjithëve po u pengon “entuziazmi dhe ngrohtësia” me të cilat po pritet Kurti.

Ajo ka kritikuar edhe PDK-në që të shtunën thirri konferencë për media duke kritikuar qeverinë e Kurtit për shfrytëzimin e ambasadave për tubime të fushatës.

“Për kaq shumë vite me radhë, mërgatën dhe diasporën e trajtuan me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit. Kur ishin ambasadorë, ministra apo kryeministra, mërgatën më meritore e përjashtonin nga aktivitetet e organizuara me paratë e tatimpaguesve, duke i tkurrur listat në vetëm anëtarë të rrethit familjar të tyre, të miqve personal dhe në partnerë biznesi. Kur vinin për vizita përfaqësues të institucioneve, i dërgonin nëpër restorante dhe ndeja me pikërisht këta. Përveç shopingut, natyrisht”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka shkruar se në këto takime nuk bisedohet as për lidhje biznesore e familjare, as për parti politike, por për zhvillimet në Kosovë.

“Sot kur llogaridhënia, edhe ndaj qytetarëve të Kosovës në mërgatë, është kthyer në model të qeverisjes, kur Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, herë nën organizimin e shoqatave nga më të ndryshmet e herë nën organizimin e misioneve diplomatike të Kosovës, bëjnë bashkëbisedim të hapur me të gjithë pjesëtarët e mërgatës, në takime ku pa lista dhe pa kufizime të tjera ftohen publikisht të marrin pjesë TË GJITHË, ku në takime nuk bisedohet as për lidhje biznesore e as familjare, as për parti politike apo interesa personale, por ku Kryeministri bashkëbisedon me qytetarët e Kosovës jashtë vendit për zhvillimet në Kosovë, situatat e ndryshme që përcjellin realitetin e ri të krijuar në vendin tonë, krijimin e lidhjeve më të mira mes mërgatës, diasporës dhe Kosovës, përfshirjes më efikase në Kosovë të gjeneratave të lindura dhe rritura në mërgim, të shkolluara dhe aftësuara, falë kontributit të prindërve të tyre, në institucionet më prestigjioze arsimore të botës, krijimit të mekanizmave institucional për profesionalizimin e mësimit në gjuhën shqipe në mërgatë, regjistrimin e mërgatës, etj., pikërisht këta keqpërdorues masiv të diplomacisë dhe shtetit mbajnë konferenca për shtyp dhe thërrasin diplomatët e Kosovës që të bojkotojnë dhe sabotojnë shtetin”, ka shkruar ajo.

Ajo ka pretenduar se kryeministri, Presidentja, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nuk kanë bërë në këto gati 4 vjet pothuajse asnjë vizitë jashtë vendit pa e ndarë të paktën një kohë të shkurtër për takim me mërgatën dhe diasporën. Diku një takim me studentë, diku me profesionistë të rinj, diku tjetër me figura të shquara të shoqërisë së shteteve përkatëse, ndërsa diku me veprimtarë meritorë të çështjes kombëtare, me biznese të suksesshme e me përfaqësues të artit e kulturës, shkencës dhe teknologjisë.

“Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”, ka shkruar ajo.

“Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës pak e nga pak, por në mënyrë të pakthyeshme, po ua kthejmë rolin e tyre të vërtetë, atë të shtëpisë së madhe dhe derës së hapur për të gjithë mërgimtarët tanë. Ky është realiteti i ri me të cilin duhet të mësohen sa më parë ata që diplomacinë dhe ambasadat e Kosovës ishin mësuar t’i shohin dhe shfrytëzojnë vetëm në funksion të interesave të tyre personale dhe klanore”, ka shtuar Gërvalla.

Sipas Gërvallës, takimet në diasporë nuk janë fushatë.

Ajo tha se fushata nis në janar dhe atëherë “do të kenë fjalë të tjera”

“Janë live tubimet që i kemi mbajt, nuk ka as në ton as në përmbajtje asnjë gjë të fushatës. Fushata vjen në janar edhe po, jo vetëm në Kosovë por do të shihemi edhe në diasporë, do të shihemi në fushatë ama atëherë do t’i kemi do fjalë të tjera”, tha ajo./Paparaci.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments