Sot presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dha lajmin se Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
E menjëherë Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka dalë me një njoftim shtesë ku thotë se qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë pa viza atje, në fakt duhet të pajisen me një të tillë.
Kjo pasi sipas njoftimit vendimi ende nuk ka hyrë në fuqi.
“Për datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, ambasada e jonë do të ju mbanë të informuar në kohë. Deri atëherë, qytetarët e vendit tonë, para se të nisen në Emiratet e Bashkuara Arabe , janë të obliguar që të pajisen me viza hyrëse”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Emirate.
Ambasada ka dalë me këtë njoftim pasi Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Emiratet e Bashkuara Arabe ia kanë hequr vizat për Kosovës.
Lajmin ajo e ka dhënë nëpërmjet platformës X shoqëruar me disa foto gjatë takimit që kishte me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed.
Sipas Osmanit, marrëveshja është arritur gjatë një takimi që pati me homologun e saj arab muajin e kaluar.
“Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve dhe qytetarëve tanë”, k shkruar Osmani në platformën X.