Ambasada e Finlandës në Kosovë ka reaguar pas përplasjeve që ndodhën dje në Kuvend mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagimin e tyre thuhet se ambasada e Finlandës është thellësisht e shqetësuar për sjelljen dhe gjuhën e përdorur në seancën e djeshme.
“Në këto kohë të vështira, kur qytetarët e Kosovës po luftojnë me COVID 19, Ambasada e Finlandës shpreson për një lloj tjetër standardesh nga aktorët e zgjedhur nga qytetarët e tyre. Uniteti dhe bashkëpunimi është shumë i nevojshëm tani.
“Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë. Por të jesh i zemëruar me personin e duhur, në shkallën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur – kjo nuk është e lehtë. ” ARISTOTELI”, thuhet në reagimin e tyre.
Kujtojmë se një përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje ka ndodhur dje në Kuvendin e Kosovës.
Përplasja erdhi pas deklaratave të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës për krerët e UÇK’së dhe Gjykatën Speciale.