Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mbështetur aksionin e djeshëm të policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar duke e quajtur si veprim në interes të të gjithë qytetarëve.
Në një reagim në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook, thuhet se përpjekjet për të penguar aksionin me retorikë nxitëse u shërben atyre që krijojnë ndasi mes komuniteteve në Kosovë.
“Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë, si dhe përdorimin e retorikës nxitëse, shërben vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje në mes të komuniteteve në Kosovë. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren. Gazetarët kanë të drejtë të veprojnë në një mjedis të sigurt dhe ata që e kërcënojnë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Ambasada amerikane në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express, gjithashtu ka shprehur mbështetjen për policinë pas aksionit të djeshëm kundër krimit të organizuar.