Massimiliano Allegri u prezantua zyrtarisht si trajner i Juventusit, edhe pse punën me bardhezinjtë në Cotinassa e ka nisur prej dy javësh.
Dy vite pas përfundimit të epokës së parë në krye të Zonjës së Vjetër, trajneri nga Livorno nuk e fsheh gëzimin për marrjen e kësaj detyre.
“U ndjeva si të isha 18 vjeç kur fillova stërvitjen, i lumtur dhe i kënaqur. Filloj një cikël të ri me një ekip të shkëlqyeshëm. Ka shumë talentë të rinj që kanë mundësi dhe duhet të kenë dëshirën për t’u përmirësuar. Ata janë e ardhmja e këtij klubi. Së bashku me ta, lojtarët me përvojë si Ronaldo, Chiellini dhe Bonucci, duhet të jenë vlerë e shtuar. Kam kaluar pesë vite të mrekullueshme, por dy vite më parë vendosëm të ndanim rrugët. Duhet të vijë muaji mars për të parë nëse mund t’i arrijmë objektivat tanë.”
“Më shumë përgjegjësi nga Ronaldo? Ronaldo është një kampion i madh, një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një djalë i zgjuar. Kam folur me Cristianon, i thashë se ky vit është i rëndësishëm. Jam i lumtur që e gjeta këtu. Ka një përgjegjësi më të madhe se tre vjet më parë. Pres shumë prej tij për sa i përket përgjegjësisë”.
Për tri sezone, 36-vjeçari ka bërë 133 paraqitjen me Zonjen e Vjeter, ka shënuar 101 gola.
Ai ka fituar 5 trofe me Juventusin.