Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaAliu: Finalizimi i projektit për zgjatjen e pistës e bënë Aeroportin e...

Aliu: Finalizimi i projektit për zgjatjen e pistës e bënë Aeroportin e Prishtinës konkurrent në rajon

Projekti për zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të mundësojë normalizimin e hapësirës ajrore dhe hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje.

 

Kështu ka deklaruar në një konferencë për media ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se me finalizimin e këtij projekti ANP “Adem Jashari” bëhet konkurrent në rajon.

Ai tha se me këtë rast sistemi instrumental i aterrimit në aeroport avancohet nga kategoria 2 në 3B, e që do të ndikojë në eliminimin e shkaktarit kryesor të anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve.

“Ky është një projekt i veçantë dhe ka një rëndësi të veçantë sepse këtë aeroport e bën konkurrues në rajon. Me finalizimin e këtij projekti, do të realizohet zgjatja e pistës prej 2500 metra sa është momentalisht në 3050 metra dhe do të kemi instalim të pajisjeve të rëndësishme për përcjelljen e kapaciteteve teknike të Agresionit të Navigimit Ajror për ofrimin e shërbimeve në vend. Me realizimin e këtij projekti, sistemi instrumental i aterrimit në këtë aeroport avancohet nga kategoria 2 në 3B e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor e që Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e bën konkurrent në rajon[…]Ky është projekt i MI, i qeverisë së Kosovës, i cili është nënshkruar në vitin 2017, ndërsa vlera e tij totale me TVSH është 33 milionë 566 mijë e 305 euro”, tha ai.

Ministri Aliu tha po ashtu se me këtë projekt do të mundësohet normalizimi i hapësirës ajrore e që nënkupton hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje.

“Po ashtu, pajisjet, të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që kanë të bëjnë me navigimin, me meteorologjinë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm për aterrim në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast do të eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Me këtë projekt do të mundësohet normalizimi i hapësirës ajrore e që nënkupton hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje… Ne kemi hasur në gatishmëri të madhe që ky projekt të kryhet sa më shpejt, brenda këtij viti[…] Jemi duke punuar edhe më tej që të hapen edhe korridore të tjera, siç është ai me Malin e Zi”, shtoi Aliu.

Edhe komandanti i KFOR-it, major gjeneral Franco Federici tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për zhvillimin ekonomik.

Përmes këtij projekti, ai tha se kompanitë do ët kursejnë para, teksa shtoi se do të ulet edhe kosto e fluturimit.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për zhvillimin ekonomik. Do të keni më shumë udhëtar, më shumë turistë. Dhe, është një gjë e mirë edhe për kompanitë sepse ato do të kursejnë para dhe kosto e fluturimeve do të ulet dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, edhe mjedisi do të përfitojë sepse do të shfrytëzohen më pak karburante. Në përgjithësi, një hap shumë i rëndësishëm ky që ndërlidhet edhe me trajnimin dhe arsimimin e kontrolluesve të ri të trafikut këtu ën Kosovë, dhe në përgjithësi kisha me thënë që është një sukses i madh”, tha ai.

Drejtor i operimeve në LIMAK, Gokmen Aritay tha se janë të lumtur që si palë e kontraktuar kanë arritur të mbajnë premtimin për përfundimin në kohë të projektit.

“Projekti është për zgjatjen e pistës, mirëpo përmban edhe shumë elemente të tjera që përmirësojnë të gjitha standardet e sigurisë dhe menaxhimin e hapësirës ajrore[…]Ne si LIMAK, si palë e kontraktuar jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj[…]Jemi shumë të lumtur që mbajtëm premtimin tonë dhe e përfunduam në afat siç e kemi parashikuar”, u shpreh ai.

Projekti për zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është nënshkruar në vitin 2017, ndërsa vlera e tij totale me TVSH është 33 milionë 566 mijë e 305 euro.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments