Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot me rastin e Ditës botërore të mjedisit – 5 Qershorit dhe 19 vjetorin e themelimit të partisë si dhe shpalosjes së platformës së re, ka organizuar një eveniment bashkë me rininë gjatë të cilës në fjalimin e tij ka zbuluar dhe ka bërë të ditur për opinionin hapat e ri të BDI-së.
Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti:
Të nderuar qytetarë, e dashura rini
Sot është 5 qershori, dita e themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, 19 vite më parë, por njëkohësisht edhe dita botërore e mjedisit.
Organizata jonë politike, më e suksesshmja në historinë e këtij vendi, lindi si nevojë e kohës, si forcë e obliguar nga qytetarët që të sjell barazi nëpërmjet të zbatimit të plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, legalizimit të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, decentralizimit, simbolet dhe kulturën kombëtare, gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, integrimin në NATO, marrjen e dritës së gjelbër për anëtarësim në Bashkimin Europian, bashkë me shumë prioritete tjera të qytetarëve tanë.
Me kohë, këto kërkesa dhe nevoja të qytetarëve u plotësuan me shumë të tjera, ashtu siç zhvillohej shoqëria, rriteshin dhe nevojat e qytetarëve, prandaj dhe BDI u përshtat me kohën dhe mbeti adresa e pranimit të kërkesave të qytetarëve dhe realizimit të tyre në përpikëri.
U ndërtuan shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, infrastrukturë, teatro, u themeluan institucione të reja, u bëmë të zot të vetvetes dhe të dobishëm për vendin.
Sot jemi në rrethana të cilat dukeshin të pamundura një dekadë më parë, rrethana ku shqiptarët kryesojnë kuvendin, drejtojnë edhe qeverinë, diplomacinë, financat, policinë e ushtrinë, gjyqësorin bashkë me institucione tjera të rëndësishme dhe këtë e bëjnë në formën më dinjitoze të mundshme.
Prandaj, pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmes Europiane, ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit, e kushteve të jetës së përditshme, zhvillimin, arsim dhe shëndetësi cilësore, drejtësinë joselektive, dixhitalizimin, politikat sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor.
Një vajze e re, Greta Tunberg, përshkoi botën me alarmin për ndryshimet klimatike e politikën ambientaliste dhe të gjithë ia hapën derën. Erdhi koha që edhe ne ta hapim derën hapë krah dhe të përqafojmë këto politika për një të ardhme të gjelbër, të sigurt, të zhvilluar dhe të shëndosh.
Këtë e kërkoni ju, rinia. Rinia zëshëm kërkon kushte jete si bashkëmoshatarët e vet në perëndim, vende pune, ambient jete modern me ajër të pastër, ujëra të pastër, male dhe fusha të gjelbërta, rrugë e hekurudhë moderne, energji të gjelbër, shkolla, çerdhe dhe spitale me efikasitet energjetik, të sigurta dhe bashkëkohore.
Ju shoh para meje, të gjithë të ri e të reja. Në rininë time, lumenjtë ishin aq të pastër sa që ne e pinim atë ujë të rrjedhshëm.
Sot ato lumenj janë aq të ndotur sa që paraqesin rrezik për shëndetin dhe mjedisin. Sot shoh malet e shkretuara, deponi të egra në çdo vendbanim dhe jo gjithmonë për faj të institucioneve, por edhe për fajin tonë.
Të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për vendin ku jetojmë, të gjithë thithim të njëjtin ajër, të gjithë pimë të njëjtin ujë, të gjithëve na ngroh i njëjti diell, që të gjithë ushqehemi nga kjo tokë.
Të dashur miq, e dashura rini, ndryshimet klimatike janë kërcënim ekzistencial për mjedisin, për shëndetin dhe për ekonominë.
Prandaj ne sot, mu në ditëlindjen e 19-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, në përputhje me Rezolutat e miratuara në Kongresin tonë të fundit, po nisim një politikë të re, një mënyrë të re të të bërit politikë dhe të vepruarit të drejtpërdrejt, përtej të drejtave etnike, zhvillimit dhe synimeve integruese, politikë për drejtësi mjedisore, për jetë cilësore.
Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim në tërësi e përqafon agjendën e gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe e shton atë në krah të shtyllave tona programore si prioritet.
Agjenda e gjelbër të dashur miq nënkupton jetë cilësore, vende pune dhe zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë dhe ndikimit negativ të saj mbi ekonominë, vendet e punës, shëndetin dhe jetën në përgjithësi.
Paratë e dedikuara në agjendën e gjelbër janë investim sepse mjedisi dhe ekonomia janë të ndërlidhura, janë investim mbi shëndetin publik, në mbrojtjen e ambientit, në çasjen në ujë dhe ajër të pastër, në pastrim të deponive, në reduktimin e emetimeve të gazrave, rrugë dhe hekurudhë cilësore, gazifikim dhe energji të gjelbër, ndikon edhe në cilësinë dhe rrjedhimisht edhe në kohëzgjatjen e jetës tonë, në shëndetin mendor, në parandalimin e katastrofave që do të kushtojnë shumë më tepër, shpesh edhe me jetë.
Sot, cenimi i agjendës së gjelbër dhe ndotja e mjedisit jetësor është kërcënim ndaj sigurisë, siç është edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, prandaj dhe qeveria, komunat dhe të gjitha institucionet tona duhet të bashkëngjiten dhe ne do të angazhohemi për këtë, të bëhemi lider rajonal dhe europian në politikat e agjendës së gjelbër.
Prandaj të dashur miq, mirëserdhët tek BDI-ja e zhvillimit dhe e vendeve të punës nëpërmjet të agjendës së gjelbër, BDI e cila, përveç se për barazinë, zhvillimin si dhe frymën euroatlantike, kujdeset edhe për ajrin, për ujin, për tokën, për mjedisin e përbashkët si parakushte për zhvillim dhe jetë cilësore.
Ju që jeni këtu, anëtarët tanë, votuesit tanë, por jo vetëm, gati se edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë e njohin konsistencën tonë, qëndrueshmërinë e politikave tona dhe që të gjithë e dinë që atë që e themi edhe e realizojmë.
Për 19 vite jemi shtyllë e stabilitetit, paqes, sigurisë, barazisë dhe vazhdimësisë dhe realizimit të ëndrrës euroatlantike. Nuk u lëkundëm nga qëllimet tona asnjëherë dhe për asnjë çmim.
Sot e tutje, të bëhemi edhe shtyllë e jetës së përbashkët dhe cilësore, ashtu siç i vëmë drynin Jugohromit si ndotës më i madh i Pollogut, a po siç e shndërruam Malin Sharr në park kombëtar.
Një jetë e një diell, një ajër e një ujë, një tokë e një planet i ndajmë bashkërisht.
Të kujdesemi për to pa dallime etnike, pa dallime fetare, pa dallime partiake, kulturore, arsimore, sociale e te çfarëdo qoftë lloji tjetër.
Prandaj, që sot ju paralajmëroj që përveç se në nivelin qendror, agjenda e gjelbër do të jetë kryefjalë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale edhe atë me kontributin e njohësve më të mirë të fushës.
Apeloj deri tek shoqëria civile dhe grupet e interesit që t’i bashkëngjiten agjendës tonë të gjelbër me idetë dhe përvojat e tyre të cilat do të përqafohen nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim.
E gjithë kjo për arsye se edhe ne, edhe pasardhësit tanë, kemi vetëm një jetë, ta jetojmë dhe t’ua lëmë fëmijëve tanë në trashëgimi këtë planet me mundësi të pafund për zhvillim të mëtejmë sepse ne, nuk kemi të drejtë t’ua shkatërrojmë të ardhmen brezave pas nesh.