Kryetari i zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me PDK’në në këtë komunë. Thotë se ata nuk kishin marrëveshje parazgjedhore me asnjë parti.
Hyseni thotë se nuk kanë pasur marrëveshje të fshehtë me Partinë Demokratike të Kosovës.
Me z.Qemajl Mustafa s’mund të kemi marrëveshje sepse ai është vetëm individë tashmë, nuk është pjesë e strukturave të PDK’së. Ndërkaq përkrahja e tij publike nga sa unë kam dëgjuar dhe parë ka ardhur si rezultat i asaj që ai beson në ndryshim te Vetëvendosje”, tha Hyseni
“Mirëpo ajo për çka ne kemi edhe dëshmi është që ka ekzistuar marrëveshje e fshehtë në mes të PDK’së dhe LDK’së në Gjilan. Ka videoincizime që janë dalë në publik që prej brenda PDK’së janë telefonuar qytetarë dhe struktura e PDK’së që të votojnë z.Haziri në këtë rast e me të cilin thuhej se ka marrëveshje të fshehtë”, theksoi Hyseni.
Por ai nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me PDK’në.
“Nuk kemi përjashtuar asnjë subjekt politik tjetër përveç LDK’së me të cilën kemi qenë në garë të drejtpërdrejtë”, tha Hyseni.
“Qeverisja duhet të jetë stabile. Pa qeverisje stabile s’mund t’i shtyjmë projektet tona që i kemi prezantuar para qytetarëve”, theksoi ai.
Por a kanë kontaktuar me zyrtarët e PDK’së?
“Deri më tani jo. Nesër kemi planifikuar që të mbajmë mbledhjen e parë të shtabit zgjedhor pas përfundimit të zgjedhjeve. E kemi pasur një periudhë të ngarkuar. S i përket kontakteve të para për këtë duhet të presim në certifikim të rezultateve sepse duhet të kuptojmë hollësisht se si qëndrojmë me rezultatin zgjedhor ndërkaq pas kësaj vjen momenti i bashkëbisedimit me të tjerët për qeverisjen” ,shpjegoi ai.