Kjo është bërë i ditur nga një komunikatë për media, nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F.R. dhe F.A., në cilësinë e personave zyrtarë në komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.R. – menaxher i projektit, ka ofruar dokumentacion të rremë se kinse janë kryer punimet në dy rrugë, njëra në fshatin Terpezë dhe tjera në fshatin Pozheran, duke u hedhur zhavorr përkitazi me tenderin ‘’Asfaltimi i Rrugëve Rurale për LOT I’’, ku pastaj i pandehuri F.A. – menaxher i prokurimit gjatë dhënies së tenderit, ka bërë urdhërpagesë për shtrimin e rrugës me asfalt në fshatin Terpezë dhe ka paguar gjithsej 11.100,75 €, ku prapë për të njëjtën rrugë ka nënshkruar urdhërpagesë për shtrim me zhavorr në vlerë prej 6,870,00 €, ndërsa, për asfaltimin e rrugës në fshatin Pozheran, i njëjti ka lëshuar urdhërpagesë në vlerë prej 18,890 €, ku pastaj për të njëjtën ka nënshkruar urdhërpagesë për shtrim me zhavorr, në vlerë prej 2.877.00 €.
Gjithashtu, në asfaltimin e rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II, në komunën e Vitisë, i pandehuri F.R., ka eliminuar – larguar nëntë rrugë të cilat sipas kontratës kishin për tu asfaltuar dhe ka asfaltuar tri rrugë të reja në fshatin Skifteraj që nuk ishin kontraktuar dhe nuk i kishte asfaltuar një rrugë në Viti, një në fshatin Lubishtë dhe një në fshatin Begucë, ndërsa, i pandehuri F.A., gjatë ekzekutimit të kontratës ka nënshkruar urdhërblerjet edhe për ato rrugë që nuk kanë qenë pjesë e kontratës, duke e dëmtuar komunën e Vitisë me gjithsej 13,985.50 €.
Po ashtu, i pandehuri F.A, në kundërshtim me dispozitat ligjore ka shpallur njoftim për kontratë, me titull Rregullimi i rrugëve rurale në komunën e Vitisë, kontrata kornizë, punë me çmime për njësi prej 840,000 €, edhe pse bazuar në dispozitat ligjore kontrata publike kornizë me çmime për njësi lejohet për punë – riparim mirëmbajtëje, por në asnjë mënyrë nuk lejohet për punë ndërtimore, njofton BetimipërDrejtesi.
I pandehuri F.R., ka përpiluar raportet e asfaltimit të rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II, në komunën e Vitisë se janë kryer konform paramasave dhe parallogarisë dhe në bazë të këtyre raporteve janë bërë pagesat ku është konstatuar se këto rrugë janë asfaltuar me mangësi edhe atë: një rrugë në Viti, një në fshatin Smirë dhe një në fshatin Ramnishtë, me ç’rast me përpilim të raporteve të mbikqyrjes së këtyre rrugëve për LOT I, ka dëmtuar buxhetin e komunës së Vitisë, për vlerën prej 2,775.15 €.
Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit R.Sh., Sh.K. dhe S.S., në cilësinë e personave zyrtarë, kanë nënshkruar dokumentacion përkitazi me kontrollimin dhe pranimin teknik se kinse janë kryer punimet në tender asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I, dhe më pas e kanë nënshkruar dokumentacionin se kinse është hedhur zhavorr.
Gjithashtu, të njëjtit gjatë pranimit teknik të rrugëve për LOT I, kanë dëmtuar buxhetin e komunës së Vitisë, për vlerën prej 2,775.15 €, si dhe, kanë përpiluar dokumentacion të falsifikuar, duke plotësuar dokumentacionin për pranim teknik të rrugëve për LOT I dhe LOT II, ashtu që pa qenë prezent një person tjetër, e vendosin emrin e tij në dokumentacionin përkatës, kinse ka qenë prezent gjatë pranimit teknik.
Në këtë mënyrë, të pandehurit R.Sh., Sh.K. dhe S.S. akuzohen për veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Rastet e posaqme të falsifikimit të dokumenteve’’, të KPRK-së.