Ish-presidenti Hashim Thaçi u paraqit sot para Gjykatës Speciale për shkak të aktakuzës së re, të ndryshuar, të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi së fundmi në gjykatë.
Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, por tri herë u deklarua i pafajshëm.
“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi me i lexuar sepse janë shumë të redaktuara”, tha ai fillimisht.
Gjykatësi Nicolas Guillou i tha se nuk ka nevojë të deklarohet menjëherë rreth pafajësisë, por Thaçi përsëriti deklarimin e tij.
“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën s’e kam lexuar, sepse s’e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ish-presidenti.
Sipas rregullorës, ndërsa theksoi se Thaçi ka kohë 30 ditë për t’u deklaruar rreth akuzave, gjykatësi Guillou i tha atij se “nëse dëshironi mund ta bëni këtë vetëdeklarim tani”.
Thaçi e mori fjalën sërish, për t’u deklaruar i pafajshëm për të tretën herë në këtë seancë paragjyqësore.
“Z. gjyqtar, e theksova edhe njëherë, amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kuptuar por deklarohem i pafajshëm”, tha ai.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.