Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka zhvilluar një takim online me udhëheqës të lartë të policisë. Në këtë takim, kanë marrë pjesë zëvendësdrejtorët, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe Drejtorive Rajonale Policore.
Siç njofton policia, Drejtori i Përgjithshëm u fokusua në situatën e sigurisë në përgjithësi duke folur për operacionet policore të ditëve të shkuara, teksa falënderoi angazhimin e njësive dhe zyrtarët që ishin direkt të përfshirë në ato operacione, të cilat, nga ana e tyre u vlerësuan si “mjaft profesionale dhe te suksesshme nga mekanizma të ndryshme”.
Në këtë takim, u diskutuan sfidat me të cilat po përballet policia aktualisht, angazhimet policore në zbatim të vendimeve të institucioneve karshi parandalimit të përhapjes së pandemisë, etj.
“Në këtë takim duke iu referuar kohës kur fillon faza e fushatës elektorale u potencua edhe nevoja e implementimit dhe zbatimit të planit operativ ‘Zgjedhjet komunale 2021’, ku u diskutua rreth rrjedhës së kësaj faze duke pasur parasysh ndërlidhjen e fushatës me kufizimet për shkak të pandemisë, në funksion të ruajtjes edhe të shëndetit publik. Vend me rëndësi gjatë takimit zuri edhe siguria në trafikun rrugor dhe aktivitetet policore për të rritur sigurinë në këtë aspekt. Një diskutim i veçantë iu kushtua ‘realizimit të urdhëresave të gjykatave’, është kjo një detyrë dhe aktivitet që policia e realizon në vazhdimësi dhe kërkesë e drejtorit ishte intensifikimi i punës dhe realizimi sa me efikas i këtyre urdhëresave në mënyrë që personat në kërkim të dërgohen para organeve të drejtësisë. Integriteti, disiplina dhe përgjegjësit menaxheriale policore, ishin po ashtu fokus i diskutimit të sotëm dhe u kërkua vëmendje e vazhdueshme nga të gjithë eprorët dhe vartësit e tyre me qellim të realizimit të detyrave me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.