Policia e Kosovës ka nisur një aksion për sekuestrimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale në Shtërpcë, komunën me shumicë serbe në rajonin e Ferizajt.
Prokurori Rasim Maloku tha se po e zbatojnë një urdhëresë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e 4 lokacioneve në këtë qytet.
“Jemi prezent. Jemi duke e zbatuar një urdhëresë për kontrollimin e 4 lokacione”, tha ai nga vendi i ngjarjes.
Maloku tha se gjithashtu po i sekuestrojnë “të gjitha dokumentet”.
Prokurori tha se Policia do të zbarkojë edhe në disa vende nga ku dyshohet se po monitorohen këto kamera të vendosura nga strukturat ilegale serbe.
“Jemi duke i sekuestruar të gjitha. Do të kryejmë kontrolle edhe në disa qendra ku dyshohet se po monitorohen kamerat e sigurisë”, tha ai.
Këto kamera dyshohet se monitorohet nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit. Prokurori Maloku tha se pamjet e regjistruara janë përcjellur deri te strukturat e sigurisë në Serbi.