Edi Rama e ka nisur punën si kryeministër për herë të tretë duke synuar t’i kontrollojë më rreptësisht mediat. Në mbledhjen e parë, Këshilli i Ministrave e ka miruatuar vendimin për Agjencisë për Median dhe Informimin, e cila do ta përpunojë gjithë aktivitetin qeveritar, e me pas do ta shpërndajë për mediat.
“Media Freedom Rapid Response” kanë reaguar sot duke e shprehur shqetësimin e tyre për këtë. Ata i kërkojnë Partisë Socialiste në pushtet që ta anulojë menjëherë themelimin e saj për të siguruar që nuk do të përdoret për ta forcuar më tej kontrollin mbi rrjedhën e informacionit publik.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të angazhohet menjëherë me qeverinë shqiptare për t’i ngritur këto shqetësime si çështje prioritare në bisedimet e ardhshme të pranimit. Planet për agjencinë e re, të shpallur gjatë seancës së parë të parlamentit të ri më 18 shtator, do ta centralizonin kontrollin mbi marrëdhëniet publike të qeverisë brenda një njësie të vetme”, thuhet në reagim.
Sipas rregullave të reja, zëdhënësve në ministri dhe departamente qeveritare do t’u ndalohet të flasin drejtpërdrejt me mediat ose komentet duhet të miratohen nga një person i cili do të emërohet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe do të ketë status të barabartë me atë të një ministri qeveritar.
Qeveria ka thënë se agjencia e re, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit dhe “donacione” të paspecifikuara, do ta rrisë transparencën dhe do t’i unifikojë mesazhet nëpër ministri të ndryshme.
“Gazetarët në Shqipëri aktualisht punojnë në një klimë jashtëzakonisht të vështirë për të pasur informacion nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët përmes grupeve WhatsApp në vend që të përdorë kanale zyrtare. Gazetarët që punojnë për mediat e pavarura diskriminohen rregullisht kur kërkojnë informacion ose koment nga ministrat. Gazetarëve që shihen si përfaqësues të mediave “opozitare” u mohohet akreditimi ose u ndalohet të bëjnë pyetje në konferencat për shtyp”, thuhet në reagimin e MFRR.
Në të njëjtën kohë, theksohet se kryeministri i shmanget konferencave për shtyp dhe në vend të kësaj mbështetet në stacionin e tij televiziv ERTV për të krijuar dhe shpërndarë informacione dhe videoklipe të para-redaktuara në shtyp.
“Intervistat u jepen gazetarëve të zgjedhur, duke mbrojtur kryeministrin dhe ministrat e tjerë nga përballja me pyetje sfiduese. Nën Partinë Socialiste, institucionet e tjera shtetërore kanë imituar këtë model dhe tani u dërgojnë pako lajmesh të përgatitura paraprakisht stacioneve televizive dhe gazetave private. Rezultati është se në të gjitha nivelet e qeverisjes, gazetarët përballen me pengesa të konsiderueshme në parashtrimin e pyetjeve ose shqyrtimin e duhur të ministrive. Në këtë sfond, ngurtësimi i mëtejshëm i kontrollit të qeverisë mbi rrjedhën e informacionit nga një njësi e vetme rrezikon ta kthejë atë që tashmë është një burim i pikuar informacioni për gazetarët në një shkretëtirë”, thuhet në reagim.
“Media Freedom Rapid Response” (MFRR) është një mekanizëm, i cili gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit në Evropë.