Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit Kurti i ka dalë punë me Agjencinë Kundër Korrupsioni përshkak të mosdeklarimit të saktë të pasurisë së tij në këtë organ të pavarur.
Kreu i Agjencionit Kundër Korrupsion, Ylli Buleshkaj, ka konfirmuar për Gazetën Express se Agjencia që drejton është duke kryer verifikimin e deklarimit të pasurisë së Shefit të Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi. Dalipi në vitin 2021 nuk i ka pasqyruar tri biznese në të cilat është bashkëpronar në formularin për deklarimin e pasurisë së AKK-së.
Buleshkaj i tha Gazetës Express se ndaj Dalipit është duke u kryer verifikimi i deklarimit të pasurisë para një hetimi të mundshëm pasi janë faza të ndara.
“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse para një hetimi pasi janë faza të ndara. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, tha ai për Express.
Ditë më parë, Dalipit që udhëheqë me stafin e shefit të qeverisë, i ka dalë punë edhe me mediat, duke i sulmuar ato dhe duke i quajtur kompani të kriminalizuara, deklarata këto që u pritën me reagime të ashpra nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile.